Përvjetori i 10-të i Pavarësisë së Kosovës është përkujtuar edhe në Shkodër. Bashkia dhe Biblioteka Publike “Marin Barleti” kanë organizuar një ekspozitë të periodikut dhe të botimeve ndër vite lidhur me çështjen kosovare.
Hapja e aktivitetit u bë nga drejtori i Bibliotekës Publike “Marin Barleti” Gjovalin Çuni, i cili ka folur lidhur me rëndësinë e 17 shkurtit 2018, si një ditë e shënuar jo vetëm për Kosovën por për mbarë shqiptarët.
Në përsheëndetjen e saj kryebashkiakja Voltana Ademi ka përcjellë arritjet që në kaq pak vite ka bërë Kosova. Ajo ka sjellë në vemendje njohjen nga 116 shtete, perfshirjen e Kosovës në aktivitetet e FIFA e UEFA si dhe antarësimin e pritshëm në UNESCO. Po ashtu Ademi ka ka folur edhe për procesin e përafrimit të Kosovës me BE-në, duke u ndalur tek liberalizimi i pritshëm i vizave.
Profesor Bajram Xhafa ka mbajtur një referat të shkurtër, duke u përqendruar në etapat e datat e rëndësishme të Kosovës, që kulmuan me 17 shkurtin, shpalljen e Pavarësisë në Prishtinë.
Më pas, të gjithë të ftuarit kanë vizituar ekspozitën e veçantë, ku janë njohur me shkrimet në gazetat e përditshme shqiptare lidhur me Pavarësinë e Kosovës, por edhe me botimet e shumta të autorëve vendas e të huaj për çështjen kosovare.
Organizimi i një aktiviteti të tillë përkujtimor, ka qënë thuajse një detyrim për Shkodrën aq më shumë, kur në këtë qytet ka patur qendrën edhe Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës.