Vllaznia feston sivjet 100- vjetorin e krijimit. Shoqnia “Vllaznia” nisi rrugëtimin e vet në vitin 1919 dhe data 16 shkurt është zyrtarisht ditëlindja e emblemës më të njohur ndër shqiptarët. Por një ditë është shumë pak për të festuar një shekull aktivitet të suksesshëm. Aq më shumë, kur Vllaznia nuk lindi thjesht si një shoqni sportive por edhe kulturore e artistike, pavarësisht se sot identifikohet me ngjyrat kuqeblu në sportin shqiptar.
Bashkia e Shkodrës ka nisur zbukurimin e qytetit. Ashtu si për festat e fundvitit apo 28 Nëntorin, edhe 100 vjetori i Vllaznisë ka simbolet e saj. Ato tashmë zbukurojnë Pedonalen dhe gradualisht, do të përhapen në rrugët kryesore të qytetit. Përgatitjet janë të gjithanshme dhe ka një të veçantë. Aktivitetet do të starojnë me një ceremoni solemne me datë 16 Shkurt por…do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit, ashtu siç i ka hije një përvjetori shumë të rëndësishëm.
Për të krijuar atmosferën e duhur, kanë bashkëpunuar të gjitha drejtoritë në Bashkinë e Shkodrës dhe ato të ndëmarrjeve në varësi. Nga 16 Shkurti e në vijim, do të ketë aktivitete kulturore, artistike, sociale e natyrisht edhe sportive. Ajo çfarë garantohet nga organizatorët, janë aktivitetet e larmishme dhe shumë surpriza. Si në çdo festë që respketohet, nuk zbulohen të gjitha dhe që në ditën e parë. Përgatituni për një përvjetor të paharruar, siç e meriton 100 vjetori i krijimit të Vllaznisë tonë! /ShkodraWeb/