Qeveria Shqiptare ka vendosur që e hëna, 13 shkurt, do të jetë ditë zie kombëtare në ndër të viktimave që humbën jetën nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Lajmin e ka bërë të ditur, kreu i qeverisë, Edi Rama i cili me anë të një postimi në Facebook shkruan 13 shkurti u shpall ditë zie “në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë”.
“Ulja e flamurit kombëtar në gjysmë shtize dhe ndezja e një qiriri nga çdonjëri sipas dëshirës e mundësisë, do të jenë shenjat kuptimplota të një të hëne të shenjuar prej dhimbjes njerëzore e solidaritetit popullor që i kapërcejnë kufijtë tanë”, shkruan Rama.
Kujtojmë që edhe Kosova në datën 8 shkurt shpalli ditë zie kombëtare për të nderuar viktimat e tërmetit.