Ambasadori i Britanisë në Shqipëri, Alastair King-Smith ka folur planin e prezantuar nga kryeministri Rishi Sunak për të frenuar emigrantet e paligjshëm shqiptare që shkojnë me gomone drejt Britanisë.
Sipas ambasadorit, çdo emigrant që shkon në mënyrë të paligjshme do të kthehet sërish në Shqipëri.
Plani sipas tij do të zbatohet në mënyrë graduale, ndërsa bëri të qartë për të gjithë emigrantet se marrëveshja mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Britanisë nuk jep mundësi qëndrimi në Angli.
“Ajo çka ofron ky ligj është rikonfirmimi i garancive që Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë sipas detyrimeve ndërkombëtare. Kjo nënkupton faktin se edhe Britania e Madhe do të bëjë më shumë duke ofruar mbështetje, veçanërisht kur kemi viktima të trafikimit të qenieve njerëzore ose individë të tjerë që kthehen këtu, ne do të ofrojmë më shumë mbështetje dhe ndihmë, por bëhet fjalë për shumë më tepër se kaq. Kjo ka të bëjë me bashkëpunimin tonë në mënyrë operacionale.
Nëse dikush shkon ilegalisht, sigurisht që do të kthehet. Ajo që sjell kjo marrëveshje është se do të ndodhë më shpejt dhe do të jetë më e qartë se këto rrugë nuk ju japin mundësinë të qëndroni në Mbretërinë e Bashkuar. Përpara kësaj, njerëzit mendonin se mund të qëndronin, tani jo më”, tha ambasadori në emisionin “Opinion”.
Ambasadori i Britanisë së Madhe Alastair King-Smith tha se në Mbretërinë e Bashkuar janë rreth 150 mijë shqiptarë dhe shumica jetojnë në mënyrë të ligjshme.