Këshilli Bashkiak i Malësisë së Madhe ka nderuar At Gjergj Fishtën me titullin “Qytetar Nderi”. Poeti kombëtar i shqiptarëve, është zgjedhur të nderohet me këtë titull në 150 vjetorin e lindjes së tij.
Propozimi për këtë titull ka ardhur nga kryebashkiaku Tonin Marinaj, ndërsa në Këshillin Bashkiak është përcjellë nga zëvendëskryetari i Bashkisë Malësi e Madhe Sytki Ndrecaj.
Për At Gjergj Fishtë motivacioni i titullit “Qytetar Nderi” ishte: “Një nga personalitetet më të shquar të atdhetarisë e historisë, artit e kulturës, letërsisë e publicistikës shqiptare e më gjërë, mbrojtës i denjë i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Kongresin e Manastirit 1908 e sidomos me botimin e poemës “Lahuta e Malësisë” lartësoj kurdoherë trevën tonë Malësi e Madhe”.
Këshilltarët bashkiakë kanë miratuar unanimisht këtë titull për At Gjergj Fishtën. Në të njëjtën mbledhje, po ky titull i është dhënë edhe studiuesit dhe publicistit Ndue Bacaj.