Për shkak të punës që bëj, dashamirës që kërkojnë një përgjigje shkencore për atë që ndodhi me të ndjerin Myftaraj, më dërguan pamje filmike të pacensuruara nga vendngjarja dhe banesa e tij.
Nuk u nguta të jap mendime apo opinione, pasi manualet kriminalistike që zbardhin të tilla ngjarje kërkojnë paraprakisht shumë veprime hetimore të kombinuara.
Këto veprime futin në bashkëveprim një kryesisht dy disiplina që ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes, të cilat janë mjekësia ligjore dhe kriminalistika. Po ashtu në veprimet hetimore kryhen edhe eksperimente konkrete që janë shumë të rëndësishme për saktësimin e versionit të qëndrueshëm dhe elementëve të tjerë për një analizë shteruese.
Krahas 6 pyetjeve të arta hetimore që zbatohen rëndom me strategji të mirëfillta operative, disa çështje që kërkojnë më shumë përqendrim veprimesh investigative janë edhe enigmat që ngrihen nga pyetjet si vijon:
1. Kishte hyrja e pallatit apo ambiente përreth vëzhgim me kamera?
2. Kishte lehtësi për hapjen e derës së banesës dhe ka dëmtime të bravës së saj?
3. Ka gjurmë gishtash në derën e jashtme, orendi të brendshme dhe në vendin nga u hodh viktima, që nuk i përkasin familjarëve apo vizitorëve të zakonshëm?
4. Ka dëmtime të jashtme të kufomës të palidhura me impaktin e përplasjes?
5. Ka dëmtime të teshave të viktimës nga ndonjë përleshje e mundshme në banesë?
6. Ka parregullsi dhe zhvendosje jo e zakonshme e orendive në banesë?
7. Janë dëgjuar zhurma jo të zakonshme nga fqinjët?
8. Janë gjetur terapi farmakologjike, veçanërisht psikotrope në banesë?
9. Ka qenë i ndërgjegjshëm viktima në momentin e vdekjes?
10. Ka qenë e aftë nëna e viktimës për të dëgjuar dhe parë në mënyrë të kthjellët për shkak të moshës?
11. Cila ka qenë rutina e asaj dite e lëvizjes së viktimës dhe takimeve të tij?
12. Cilat kanë qenë komunikimet dhe vendndodhjet e tij të asaj dite në bazë të qelizës telefonike?
13. Cila ka qenë epikriza dhe vlerësimet psikologjike të viktimës për çështje shëndetësore që po trajtohej?
14. Ka pasur mungesa në banesë të kompjuterit, laptopit apo materialeve të tjera të konstatuara pas ngjarjes?
15. Ka pasur kërcënime të denoncuara, rrëfyera apo interceptuara të viktimës nga persona të tjerë?
16. Ka qenë në mbikëqyrje viktima në lëvizjet e tij nga persona të tjerë ose nga institucione ligjzbatuese?
17. Ka lënë viktima ndonjë shkrim apo mesazh lamtumire në banesë?
18. Ka shprehur ndonjëherë viktima frikë për atentate të mundshme kundër tij apo rreziqe që mund t’i vinin nga personazhe konkret?
19. Mund të realizohej vetëvrasja nga përmasat viktimës me hapësirën e banesës nga ku u hodh?
20. Ka kontaminim të banesës nga persona që hynë menjëherë në banesë për të kontaktuar me nënën e viktimës dhe janë regjistruar gjurmët e tyre?
Nëse autoritetet iu japin përgjigje të shpejtë pyetjeve të mësipërme, mendojmë se jemi në rrugë të mbarë për të zbardhur këtë ngjarje në mënyrë përfundimtare dhe shteruese. /Nga Prof. Ass. Dr. Ervin KARAMUÇO/