Një ditë pasi Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha vendosi shkarkimin e Lulzim Bashës, kryetari i PD-së do të mbledhë sot në orën 15:00 Këshillin Kombëtar.
Gjatë deklaratës së bërë dje kryedemokrati tha se në mbledhjen e sotme do të shkarkohet kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka dhe anëtarët Kryesisë që ishin pjesë e Kuvendit të Berishës.
“Asnjë deklarim i dalë nga ky tubim nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike dhe institucionet e zgjedhura të PD. Në përgjigje të falsifikimeve, shpërdorimit të funksioneve, simboleve, dhe në kundërshtim me urdhrat dhe vendimet zyrtare të organeve të partisë, kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar nesër, e diel, më 12 dhjetor 2021 ora 15:00, me këtë rend dite:
1. Miratimi i një Rezolute lidhur me situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga veprimtaria antistatutore që dëmtojnë rëndë interesat politike dhe elektorale të PD-së.
2. Miratimin e propozimit të Kryesisë për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar dhe disa anëtarëve të Kryesisë për shkelje të rënda të Statutit të PD-së dhe vendimit të Kryesisë të datës 15 Nëntor”, deklaroi Basha.
Kujtojmë që dje u shkarkuan kryetarët e degëve në Tropojë, Shijak, Fushë-Krujë, Tirana 1, Tirana 3, Tirana 9, Paskuqan, Devoll, Kolonjë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Ata nuk u paraqitën në mbledhjen e thirrur dje nga Basha dhe refuzuan urdhrat për Kuvendin. Dje delegatët e Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha vendosën me 4446 vota pro për shkarkimin e Bashës, për thyerje të rënda të statutit të PD për marrje të kompetencave.
Po ashtu u miratua ngritja e një Komisioni të quajtur Komisioni i Rithemelimit të PD-së me 29 anëtarë që synon të marrë në dorë partinë deri më 22 mars 2020 kur do të thirret një Kuvend i ri.