Në shtator Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të hapë 10% të kutive të votimit të zgjedhjeve të 25 prillit. Procesi do të realizohet në kuadër të transparencës dhe për të ballafaquar të dhënat që kanë prodhuar pajisjet e identifikimit elektronik ditën e zgjedhjeve.
Ndryshimet e Kodin Zgjedhor vitin e shkuar, mundësojnë hapjen 10% të kutive të votimit pasi të jetë shpallur rezultati përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Mësohet se në shtator KQZ do të hapë rreth 519 qendra votimi. Përzgjedhja e këtyre kutive do të bëhet rastësore dhe i gjithë procesi do mund të vëzhgohet nga subjektet e interesuara politike.
Gjithashtu hapja e kutive do të monitorohet me kamera dhe materialet video do të ruhen në serverin e KQZ.
Qëllimi i këtij procesi, parashikuar në Kodin Zgjedhor është bërja transparencë për zgjedhjet. Të dhënat nga rinumërimi do të ballafaqohen me ato që kanë nxjerrë pajiset e identifikimit elektronik në 25 prill dhe nëse do të ketë mospërputhje, materialet i referohen prokurorisë për hetimet e mëtejshme.
Mbetet për t’u parë se hapja e kutive do zbulohen ndryshime në numrin e votave që kanë marrë partitë në 25 prill, por që gjithsesi nuk pritet të ndikojë në legjitimitetin e procesit zgjedhor, i cili u vulos nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor në qershor.
Në maj, gjatë procesit të ankimimeve për rezultatin e zgjedhjeve, KAS-i në KQZ vendosi për rinumërim të pjesshëm të kutive në qarqet e Beratit dhe Durrësit, por që nuk pati ndikim në shpërndarjen e mandateve.