Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat” , bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, u organizua dhe finalizua me sukses operacioni policor i koduar “SANTORINI”, si rezultat i të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim:
R. C., 26 vjeç banues në Krujë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i shtetasit J. L. 26 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë.
Shtetasit e lartpërmendur janë kapur nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, duke qarkulluar me një automjet. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 3000 fara cannabis sativa.
Shtetasi R. C. dyshohet si një nga bashkëpunëtorët e ngjarjes së datës 03.11.2020, në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, ku ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë automjeti kamion me drejtues shtetasin shqiptar E. C., 40 vjeç dhe në afërsi të qytetit të Tuzit, Mal i Zi, strukturat e antikontrabandës malazeze, gjatë kontrollit të ushtruar në këtë kamion, gjetën një sasi të konsiderueshme lënde narkotike të dyshuar si cannabis sativa.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.