Mesfushori Lorik Boshnjaku mund të jetë titullari i radhës që largohet nga Vllaznia. Pas sulmuesve Kaina Nunjesh dhe Liridon Latifi, që nuk janë më pjesë e klubit shkodran dhe kanë ikur si lojtar të lirë, Boshnjaku mësohet se po negocion prishjen e kontratës.
Në marrëveshjen e bërë në verën e kaluar, ka një klauzolë ku opsioni i rinovimit është në dorë të klubit shkodran dhe për më tepër nëse hyn në fuqi, do të ketë një rritje të pagës. Aktualisht duket se më i interesuar për të prishur marrëveshjen është vetë Boshnjaku dhe jo klubi shkodran.
Në drejtim të mesfushorit ka mbërritur një ofertë shumë joshëse nga kampionët në fuqi të Ballkanit të Suharekës. Trajneri Ilir Daja pëlqen shumë karakteristikat e mesfushorit dhe kësisoj bisedimet mes palëve kanë ditë që kanë nisur. Mësohet se lojtari është në prag të arritjes së marrëveshjes për të shkëputur kontratën me shkodranët, por kjo do të shihet në ditët në vijim, pasi nga ana e klubit nuk ka një konfirmim për nxjerrjen jashtë planeve të titullarit kosovar.
Duke qenë se një pjesë e mirë e skuadrës është në skadencë kontrate, vlen të theksohet se më të mundshmit për të ikur nga Vllaznia janë kapiteni Erdenis Gurishta, mesfushorët Fjoart Jonuzi dhe Elvedin Heriç, si dhe mbrojtësit Dajan Shehi dhe Darko Bulatoviç.
Me ardhjen e trajnerit të ri, Migen Memelli, shumë situata në skuadër për lojtarë të caktuar mund të ndryshojnë, pasi fjalën e fundit do ta thotë pikërisht pogradecari. Trajneri ka punuar me një pjesë të lojtarëve aktualë të Vllaznisë, kur ka drejtuar Laçin dhe Skënderbeun. Megjithatë, ashtu siç deklaroi edhe në prezantimin si trajner i Vllaznisë, vendimet do të merren bashkërisht mes tij, drejtorit sportiv dhe presidentit. /Nga Admir URUÇI/