Shefja e misionit të OSBE/ODIHR-it, Audrey Glover është takuar ditën e sotme me ambasadorët e vendeve të BE-së në Shqipëri. Glover i ka njohur përfaqësuesit e komuniteteve ndërkombëtare me gjetjet paraprake të vëzhgimit të zgjedhjeve të 30 qershorit. Lajmin e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në facebook edhe Prezenca e OSBE-së, e cila ka organizuar edhe takimin. “Ambasadorja Audrey Glover e Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve njohu sot përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar me gjetjet paraprake të vëzhgimit të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre, në një takim të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri“, shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga faqja zyrtare e OSBE në Shqipëri.
Një ditë pas votimeve, misioni vëzhgues OSBE/ODHIR dhanë qëndrimin në lidhje me procesin zgjedhor të 30 qershorit. Sipas kryesueses së misionit vëzhgues Audrey Glover, qytetarët ishin në presion nga të dyja palët politike, ndërkohë shtoi se po mblidhet informacion për të kuptuar nëse janë plotësuar standardet ose jo. Sa i përket debatit për numrin e pjesmarrësve, Glover bëri thirrje autoriteteve të zbardhin të gjitha situatat.