Ashtu siç kemi njoftuar ditën e mërkurë, datë 21 qershor, Bashkia Shkodër ka vendosur një afat pesëditor, siç është përcaktuar në ligj, për të gjithë individët dhe subjektet private, që të marrin masa për të liruar hapësirat publike të zëna padrejtësisht. Shumë qytetarë kanë nisur lirimin e mjediseve të zëna, ashtu si edhe shumë subjekte i janë drejtuar Zyrës me një ndalesë, për kryerjen e procedurave. Deri sot, e premte 23 qershor, janë 37 subjekte që ofrojnë shërbime bar/restorant dhe 6 të tjerë për parking, të cilët kanë kërkuar pajisjen me lejen e bashkisë, për kryerjen e veprimtarisë së tyre konform ligjit.
Ky proces nënkupton së pari marrjen në shqyrtim të subjekteve, nëse janë debitorë ndaj shtetit dhe nëse kërkesa e tyre ka përputhshmëri në terren, pra mund të pajisen me leje pa cënuar ligjet, rregullat dhe hapësirën. Çdo kërkesë po trajtohet me seriozitetin e duhur nga sektorët përkatës në bashki.
Duke inkurajuar qytetarë dhe subjektet private që të lirojnë hapësirat e zëna padrejtësisht, iu kujtojmë se koha në dispozicion për kryerjen në mënyrë vullnetare është deri me datë 26.06.2023.
Në përfundim të këtij afati pesëditor, Bashkia do të ndërhyjë për lirimin e tyre me strukturat përkatëse dhe forcën që i jep ligji, në zbatim të ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjes Vendore”, ligjit nr. 89/2022 “Për Policinë Bashkiake”. Bashkia Shkodër ju falenderon për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj.