Një gjyqtare dha urdhër të mërkurën për burgimin e Martin Shkrelit, ish-drejtor ekzekutiv i një kompanie farmaceutike, pasi arriti në përfundimin se ai kishte shkelur marrëveshjen e lirimit me kusht, duke shkruar një mesazh në Facebook që ajo tha se përbënte kërcënim për ish-kandidaten presidenciale Hillary Clinton. Muajin e kaluar, Shkreli u shpall fajtor për mashtrim të investitorëve në dy fonde financiare që ai administronte, por ishte lejuar të qëndronte i lirë me kusht, deri në shpalljen e dënimit, që është caktuar për në mes të janarit.
Urdhri i djeshëm i gjyqtares në gjykatën federale të Bruklinit erdhi pas një postimi të Shkrelit, ku ai ofronte një dhuratë prej 5 mijë dollarësh për cilindo që do t’i shkulte zonjës Clinton një fije floku gjatë turit që ajo po bën për promovimin e një libri të ri.
Avokatët e Shkrelit thanë se postimi ishte një satirë politike. Por gjyqtarja Kiyo Matsumoto tha se nuk e shihte këtë si humor dhe se oferta e Shkrelit mund të merrej seriozisht nga kundërshtarët e ish-kandidates Clinton.
Oferta mund të shihet si “një thirrje për të sulmuar”, tha gjyqtarja, duke i hequr Shkrelit lirinë me kusht të arritur kundrejt një pagese prej 5 milion dollarësh.
“Kjo nuk mbrohet nga Amendamenti i Parë”, tha gjyqtarja”. Ekziston rreziku që dikush ta marrë seriozisht ofertën.”
Autoritetet qeveritare i kishin deklaruar gjyqtares se mesazhi në Facebook kishte alarmuar Shërbimin Sekret që mbron zonjën Clinton.
Të mërkurën paradite, Shkreli i shkroi gjykatës duke kërkuar falje për sjelljen e tij, me fjalët: “Unë nuk jam një person i dhunshëm”.
Por për gjyqtaren Yamamoto kërkesa ishte e vonuar.
“Ai nuk duhet të më kërkojë falje mua”,tha ajo. “Ai duhet t’i kërkojë falje qeverisë, Shërbimit Sekret dhe Hillary Clintonit.”
Pala mbrojtëse këmbënguli se fjala ishte thjesht për një shaka pa kripë, të krahasueshme me disa nga komentet e Presidentit Donald Trump, raporton VOA.
Shkreli u bë i njohur për rritjen shumëfish të çmimit të një ilaçi, por shpallja e tij fajtor nga gjykata muajin e kaluar nuk kishte lidhje me këtë incident që tërhoqi vemendje të madhe në media.
Në seancën e shpalljes së dënimit më 16 janar ai përballet me deri në 20 vjet burgim.