Edi Ramën e kemi parë si i përdor për figurantë në takimet e tij militantët e PS-së, deputetët, kryetarët e bashkive, policët, shpesh edhe gazetarët. Sot ia donte puna të kishte përballë disa punonjës të administratës civile, për formulimin e një pyetësori, që do t’i shpërndahet të gjithë punonjësve të shërbimit civil.
Në raste si këto, Milena Harito ia gjen si me porosi, djem dhe vajza, që i mbledh për merak nga sektorë të ndryshëm të administratës. 50 të tillë i duheshin Edi Ramës për të mbajtur një fjalim dhe punonjësit iu rreshtuan në formë rrethi para kamerave në një nga sallat e kryeministrisë.
Por ajo që ra në sy në transmetim live, është se për 40 minuta, i vetmi që foli ishte Edi Rama. Kryeministri e kapi mikrofonin në orën 12:40 dhe nuk e lëshoi deri në 13:20 minuta, në një monolog të stërgjatë para 50 punonjësve të administratës.
I vetmi rast kur Edi Rama iu drejtua djemve dhe vajzave të administratës që i qëndronin përballë, ishin disa pyetje retorike. Ndërsa mbante vetë mikrofonin, Rama kreu një dialog imagjinar me ta. Vetë pyeste dhe vetë përgjigjej për hallet dhe shqetësimet e tyre, ndërsa vërviste mikrofonin në ajër. Nga ana tjetër nuk u tha asnjë fjalë, megjithëse Rama u përpoq të ishte miqësor.
Fshesa e fundit në administratë, shkarkimet në dëgjesat publike dhe retorika kërcënuese e parazitëve, duket se i ka terorizuar punonjësit e administratës, që heshtën për një orë gjatë takimit, me shpresën se në ndonjë moment Edi Rama nuk do t’ia jepte truri t’i nxirrte të gjithë nga salla me ndonjë shkarkim të beftë, ashtu siç bëri dje me drejtorët e hipotekave.
Për këto arsye dhe të tjera, në sallë u dëgjua vetëm ndonjë pëshpërimë nga ana e punonjësve të spikatur të administratës. Pjesa tjetër ishte një “one man shoë” nga timonieri që për të dhuruar spektakël është i pakonkurueshëm. /Lapsi.al/