Një konferencë shkencore dedikuar figurës së njohur të arsimit shqiptar, Vehbi Hoti, për nder të kontributit të dhënë në arsimin shqiptar dhe që përkonte edhe me 80-vjetorin e lindjes së akademikut u zhvillua në mjediset e Rektoratit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Pjesëmarrja e shumtë në numër shoqërohej edhe nga prania e akademikëve të njohur nga Shkodra, Tirana dhe më gjerë ndërsa pjesë e kësaj konference ishte edhe rektorja e këtij universiteti Prof. Dr. Suzana Golemi.
Të gjithë me radhë vlerësuan punën e madhe që Vehbi Hoti ka dhënë në arsimin shqiptar si pjesë e vyer e një trashëgimie intelektuale ndër vite ndërsa konferenca u përshëndet edhe nga një pjesë instrumentale me autor një prej kompozitorëve argjentinas ndërsa vetë profesor Hoti shprehet i nderuar për vlerësimet e bëra në adresë të tij.
Profesor Vehbi Hoti ka dhënë një kontribut të vyer përmbi gjysëm shekulli në arsimin shqiptar duke u dalluar për cilësitë e tij të shquara akademike dhe intelektuale.
Ai njihet si autor i më shumë se 50 artikujve shkencorë duke hapur rrugën e studimeve shkencore për të tjerët që do të pasonin më tutje si dhe dy monografive. Ai është nderuar përgjatë viteve me tituj të shumtë mes të cilëve “Mësues i Merituar” dhe me urdhërin “Naim Frashëri i Artë” e shumë të tjerë.
KUSH ËSHTË VEHBI HOTI
Prof. Dr. Vehbi Hoti u lind në Shkodër me 06. 04. 1942, ku përfundoi arsimin 7-vjeçar e atë të mesëm. U diplomua në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës në degën Biologji-Kimi- Pedagogji.
Për periudha të shkurtra ka punuar në ish Institutin e Studimeve e të Botimeve Shkollore të Tiranës, shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe në kabinetin pedagogjik të rrethit. Për rreth gjysmë shekulli, 1966-2013 ka qënë pedagog i Universitetit të Shkodrës. Gjatë këtyre viteve është shquar si pedagog, si mësimdhënës, si studiues e si drejtues, duke u afirmuar si një personalitet i nderuar dhe i vlerësuar gjerësisht nga studentët, kolegët dhe opioni i gjerë shoqëror.
Përveç detyrës së pedagogut, ai ka qenë i ngarkuar me detyra e funksione të ndryshme. Për më shumë se 15 vjet ka qënë sekretar i Këshillit Shkencor të ILSHP dhe i Redaksisë së Buletinit Shkencor”. Që nga viti 2002 e gjer më sot është kryeredaktor i serisë së Shkencave të Edukimit, organ i Universitetit të Shkodrës. Në vitet 1989-1993 ka qënë përgjegjës i katedrës së Psikologji-Pedogjisë. Për 13 vjet, 1991-2003 dekan i pare i Fakultetit të Shkencave të Edukimit dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës. Është dalluar për një punë serio ze studimore shkencore. Ka një aktivitet të pasur botues e kumtues.
Është autor dhe bashkëautor i shtatë botimeve monografike, 4 teksteve mësimore për shkollën e lartë dhe dy për shkollën e mesme. Ka botuar rreth 60 punime në shtypin shkencor dhe ka referuar në 50 sesione e konferenca shkencore. Ka marrë pjesë në disa projekte dhe ka bashkëpunuar si ligjërues me disa universitete edhe jashtë vendit, si Mal të Zi e Maqedoni. Rrjedhim i kësaj pune janë gradat dhe titujt që ka fituar duke filluar nga Doktor i Shkencave gjer në Prof. Dr. Me rastin e daljes në pension 2013 Senati i Universitetit të Shkodrës e ka nderuar me titullin “Profesor Emeritus”.
Ka marrë vlerësime të larta shtetërore nga Presidentët e Shqipërisë:
Urdhëri “Naim Frashëri i Artë” (2001)
Titulli Mësues i Merituar” (1987)
Medalja “Naim Frashëri” (1977)