Shënim i ShkodraWeb
Edhe këtë vit, si çdo herë shoqata “9 janari 2004” ka sjellë në vëmendje drejtësinë e munguar për jetët e 28 viktimave që humbën jetën në Otranto. Kryetari i shoqatës Nikollë Mëhillaj ka lexuar një deklaratë para mediave në sheshin pranë Prefekturës Shkodër. Familjarët e përfshirë në këtë shoqatë kërkojnë rihapje të çështjes penale por edhe zgjidhje te çështjes civile. Në deklaratën për shtyp shpërndarë mediave, shoqata “9 janari 2004” flet me emra konkretë, akuzon dhe paraqet fakte të cilat duhet të bëjnë që çështja të rihapet. Deri më sot kjo nuk ka ndodhur dhe sipas gjasave, vështirë të ndodhë. Në fushata elektorale, të majtë e të djathtë i kërkojnë në krah familjarët e viktimave të 9 janarit 2004, u premtojnë dhe në fund asgjë. Si çdo vit, edhe sot ata përsëritën ritualin e kërkesës për drejtësi. Nëse do të kenë hapsirë, do të realizojnë edhe ndonjë bisedë në studiot e mediave të Shkodrës apo lidhje telefonike me ato të Tiranës. Kaq! Për të pritur 9 janarin e vitit 2019, një ritual që nuk do të pushojë deri sa të jetë gjallë i fundit i familjarëve të viktimave. Mbase një ditë mund të kenë mbështetje, fuqi që ti drejtohen Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Sepse sentenca thotë: Drejtësia vonon por nuk harron!