Më 1 shtator të vitit 1928, (ditë e shtunë), një Asamble Kushtetuese e cila ishte zgjedhur me votimet që u mbajtën më 16 gusht të atij viti dhe që kryesohej nga Pandeli Evangjeli, vendosi me unanimitet të plotë për ndërrimin e formës së qeverisjes së Shqipërisë, duke e kthyer vendin nga Republikë, që ishte deri në atë kohë, në Monarki parlamentare. Dhe duke shpallur kryetarin e Republikës, Ahmet Zogun, si Mbret të Shqiptarëve. Po si u veprua për ndërrimin e formës së qeverisjes së Shqipërisë, nga Republikë në Monarki, dhe shpalljen e Ahmet Zogut si Mbret të Shqiptarëve, cfarë hapash ligjore u ndërmorën nga deputetët e asaj kohe për t‘ia arritur atij qëllimi, dhe kush ishin ata që e mbështetën më shumë Zogun për të hipur në fron? Lidhur me atë ngjarje të pazakontë dhe të shumëpërfolur në historiografinë e shtetit shqiptar që i ndryshoi atij formën e qeverisjes, gjë e cila vazhdon të jetë edhe sot objekt debatesh të shumta në mes studiuesve, historianëve, por edhe të klasës politike, në shkrimin e mëposhtëm po japim të plota të gjithë hapat dhe procedurat që u ndoqën nga deputetët e asaj kohe dhe Asambleja Kushtetuese e zgjedhur prej tyre, për të bërë të mundur kthimin e Shqipërisë, nga Republikë, në Monarki, si dhe proklamimin e Ahmet Zogut, si Mbret të Shqiptarëve. Për të gjitha këto, jemi bazuar kryesisht në shkrimet dhe botimet zyrtare të periudhës së Monarkisë së Mbretit Zog, ku është pasqyruar saktësisht mënyra ligjore dhe të gjitha hapat e nevojshme se si u procedua nga klasa politike e asaj kohe. Po kështu, në këtë histori të shkurtër të themelimit të Mbretërisë Shqiptare, po japim edhe se cilat ishin ato shtete që e njohën dhe e përkrahën shpalljen e Zogut si Mbret dhe kush e kundërshtoi dhe nuk e njohu atë.
PSE DUHEJ NDËRRUAR FORMA E REGJIMIT?
Sipas shkrimeve të shumta të botuara në organe të ndryshme të shtypit shqiptar ato ditë që Kryeministri dhe njëkohësisht Presidenti i Shqipërisë, Ahmet Zogu, po vinte mbi krye kurorën e Skënderbeut, thuhej se: Shumica e shqiptarëve në vitin 1925 kur u bë shpallja e republikës nuk ishin të kënaqur me atë formë regjimi që dukej se nuk ua përmbushte dëshirat e tyre për një lloj qeverisjeje më të mirë të vendit. Traditat dhe mentaliteti i shqiptarëve i pengonte ata të kuptonin idealet e një republike dhe vendimet e herëpashershme të parlamentit nuk po zgjidhin problemet më urgjente që kishte vendi me gjithë ndërrimet e shpeshta të qeverive. Në ambientet dhe qarqet zyrtare gjithnjë e më shpesh po dëgjohej se: “Me një mbretëri të konsoliduar e të trashëguar do të sigurohej vazhdimësia e regjimit të brendshëm në krahasim me pozitën e Presidentit të Republikës, që nuk ishte shumë i mbrojtur përpara precedentëve që jo rrallë e rrezikonin seriozisht atë.
SHTIMI I NJË PARAGRAFI NË STATUTIN E REPUBLIKËS
Në këto kushte në qershorin e vitit 1928, pas krijimit të qeverisë së re, Presidenti Zog, në emër të qeverisë dhe të deputetëve të Parlamentit, me qëllim që: për t‘i dhënë shtetit shqiptar një formë definitive regjimi, në kushtet dhe situatën e krijuar, dekretoi datën 5 gusht 1928, si ditë për mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese, ku do të bëhej një rishikim i mundshëm i Kushtetutës në fuqi. Kështu, të dyja dhomat e legjislativit, Senati dhe Dhoma e Lartë e Deputetëve, në bazë të dëshirave që po shfaqnin shqiptarët dhe duke ndier nevojën e një rishikimi të përgjithshëm të statutit, me qëllim edhe për ta bërë atë më të përshtatshëm, në një mbledhje të përbashkët që kishte formën e një asambleje legjislative, e cila u mbajt më 6 qershor të atij viti, vendosi me unanimitet të plotë për shtimin e një paragrafi në nenin 141 të Statutit të Republikës, në të cilin thuhej: “Rishikimi i përgjithshëm i statutit i përket vetëm Asamblesë Konstituente”. Shtimi i këtij paragrafi në statut bëhej me qëllim që kur të shtrohej nevoja e rishikimit të përgjithshëm të statutit, të dy dhomat, konsideroheshin automatikisht të shpërndara dhe menjëherë dekretoheshin zgjedhjet për Asamblenë Konstituente.
DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE TË REJA MË 17 GUSHT 1928
Në po atë mbledhje të datës 6 qershor, të dy dhomat morën vendimin unanim për shpërndarjen e tyre, duke i hapur rrugë Asamblesë Konstituente që të hartonte e të votonte një statut të ri. Në mbështetje të këtij paragrafi të shtuar në statut dhe vendimit të marrë prej asamblesë legjislative për shkrirjen e dy dhomave, u dekretuan zgjedhjet për t‘u mbajtur më datën 17 gusht 1928. Këto zgjedhje u zhvilluan në afatin e ditën e caktuar dhe me një rregull e qetësi perfekte për t‘u admiruar, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë në zgjedhjet e zhvilluara që nga hapja Parlamentit të parë shqiptar në 21 prillin e vitit 1921. Ato zgjedhje u zhvilluan me proporcionin: një asamblist për 15.000 banorë dhe për cdo fraksion që kalonte numrin e 7.500 banorëve, me votim indirekt, duke bërë kështu zgjedhje korrekte në të gjitha prefekturat e Shqipërisë, si: Shkodra, Kosova, Dibra, Durrësi, Elbasani, Berati, Korca dhe Vlora. Një javë më vonë, më 25 gusht 1928 u hap Asambleja me mesazhin e Kryesisë së Shtetit, i cili u lexua nga ministri i Drejtësisë, Hiqmet Delvina, i pari që ishte në radhën e ministrave. Në fjalën e tij, në mes të tjerash ministri Delvina u shpreh: “Kryesija e Shtetit Shqiptar në këtë moment historik ndjen gëzimin ma të madh t‘ju përshëndesi, Ju Etën të këtij Kombi Sovran, dhe t‘ju thotë mirseardhët dhe dalshi faqebardhë në misionin e naltë që iu ka ngarkuar kombi”. Në mbyllje të fjalës së tij, ministri Delvina u shpreh: “Kryesija e Shtetit dhe gjithë organet e sajë duke pasur respektin ma të madh kundrejt sovranitetit të pacenuem të popullit shqiptar, cfaq edhe njëherë në mënyrën ma formale se ju përfaqësuesit do të bisedoni mbi fatet e këtij kombi që ju përfaqësoni, si ta gjykoni e ta dëshironi, si ma të arsyeshme për lumturinë e Shqipnis. Vullneti i popullit asht vendimi i Zotnisë Juej, i cili ka me qenë një udhën i pandryshueshëm dhe do të caktojë drejtimin e jetës shtetnore duke përdorur sypranin e vullnetin e Kombit”.
MBLEDHJA E DYTË E ASAMBLESË
Pas mbledhjes së dytë të Asmablesë u mbajt edhe një mbledhje tjetër më datën 27 gusht, ku si në mbledhjen e parë (atë të datës 25 gusht), u bë legalizimi i kredencialeve dhe betimi i të zgjedhurve. Po kështu u zgjodh edhe kryesia e Asamblesë me kryetar z. Pandeli Evangjeli. Në mbledhjen e tretë të Asamblesë u lexua një numër shumë i madh telegramesh që kishin ardhur nga të gjitha krahinat dhe prefekturat e Shqipërisë, ku shprehej solidariteti për krijimin e Monarkisë dhe proklamimi i Ahmet Zogut si Mbret i Shqiptarëve. Pas leximit të telegrameve të ardhura nga populli, filloi shqyrtimi i pikës së parë të rendit të ditës, e cila kishte të bënte me rishikimin e përgjithshëm të statutit. Me propozimin e deputetit të Dibrës, Abdurrahman Dibra, u pranua me votim që: dispozitat e konsideruara si tepër të ngutëshme për t‘u ndryshuar, të hynin në fuqi që në momentin e votimit të tyre. Në diskutimet e filluara për këtë gjë, fjala iu dha fillimisht deputetit Abdurrahman Dibra, i cili ndërmjet të tjerash u shpreh: “Mund të pretendohet se monarshistët janë demode, ose se ju ka kaluar koha, dhe se këta cdukin sovranitetin e popullit, jo zoti Kryetar. Mbi format e shteteve dy teori janë: Demokracija e plutokracia. Nga këto, Demokracija ndahet në dy lloje: në demokraci republikane dhe demokraci monarkike.
Sot vetëm këto dy forma ekzistojnë dhe këto dy forma burimin e kanë tek populli. Kryetarët e shteteve janë të lejuar që t‘i zbatojnë ato. Mundet të thotë dikush sot se forma republikane asht ajo forma ma e mbaruenme, unë ju them jo, se po të marrim parasysh disa vende republikane, atje janë formue oligarqina, nga ana tjetër nuk mund të thuhet se popujt Belg, Hollande dhe Skandinave, janë ma pak sovranë së Brazilja. Jo, sa asht njeni sovran, asht dhe tjetri. Gjithashtu nuk ka ndonjë ndryshim ndërmjet statutit të Francës e të Anglisë, prandaj nuk na mbetet gjë tjetër vecse të caktojmë atë formë qeverisje që i përshtatet popullit”. Pas fjalës së mbajtur nga deputeti Abdurrahman Dibra, diskutuan me radhë deputetët e tjerë, si: Fejzi Alizoti i Prefekturës së Gjirokastrës, Spiro Papa i Beratit, Mihal Kaso i Gjirokastrës (bashkë me Javer Hurshitin), Sulejma Starova dhe Xhefar Ypi të Korcës, duke vazhduar më pas me diskutimet e tyre: F. Rusi, H. Myftiu, K, Kosturi, N. Kici, Dr. S. Pojani, Dr. Simonidhi, H. Papadhopulli, K. Mjeda, Z. Poga, H. Vrioni, A. Becëa, M. Kapidani, R. Matja, M. Bushati, Th. Papapano, Z. Begolli, duke i mbyllur diskutimet deputeti i Skraparit, Ferid Vokopola. Në të gjitha diskutimet e deputetëve, shprehej nevoja e vendosjes së Monarkisë dhe Kurora Mbretnore e Skënderbeut t‘i dorzohej Ahmet Zogut, që cilësohej prej tyre si: “Shpëtimtar i Kombit”.
FJALA E DEPUTETIT KOL MJEDA NË MBLEDHJEN E ASAMBLESË
Më datën 1 shtator të vitit 1928 (që ishte ditë e shtunë), në ora 9 paradite, u hap mbledhja e katërt e Asamblesë nga Kryetari Pandeli Evangjeli, që ia dha fjalën për diskutim deputetit të Dibrës, Kol Mjeda, i cili tepër i impresionuar iu drejtua asamblistëve me këto fjalë: “Zotnij, në këtë stinë pesë shekuj ma parë, miset e popullit (përfaqësuesit e popullit ishin mbledhur në Lesh, në vëndin teorik për t‘i dhuruar të madhit Skënderbe, Kunorën e Shqipnis, edhe sot Asambleja Konstituente asht mbledhur me i dhurue shpëtimtarit të kombit Kunorën e Mbretnis të madhit Skënderbe (salla shpërthen në duartrokitje). Conju ju o burra, conju ju o Lekë, coju o Pirro, coju u Shqiptarë, afroju këtu o i madhi Skënderbe, shif e gëzou se shqiptarët e cuen dëshirën tënde në vënd, që ti pesë shekuj ma parë deshe me e ba. O Skënderbe, në këtë minut, stërnipi yt, Zogu, po xen vendin tand, që, me gjoks të vet e me shpat të vet e fitoi. A je kund Naim, po ti Vaso ku je? Eja këtu e nxirri dy vjersha prej zemrës sate e rrëfej botës se populli shqiptar është mbledhur pranë fronit të madhit Skënderbe dhe sot po krenohet se po kryhet ëndrra jote e vjetër”. Mbas fjalës së deputetit Kol Mjeda që u ndërpre disa herë nga duartrokitjet, diskutuan edhe deputetë të tjerë të cilët i mbaronin fjalimet e tyre solemne me shprehjet: “Rroftë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, Rroftë Mbretnia Shqiptare”.
NGRITJA E KOMISIONIT PËR STATUTIN QË DO SHPALLTE MONARKINË
Pas fjalimeve u zgjodh një komision i posacëm i përbërë nga: Pandeli Evangjeli, Hiqmet Delvina, Kostaq Kota, Milto Tutulani, Abdurrahman Dibra, Ferit Vokopola, Javer Hurshiti, Fejzi Alizoti, Fiqri Rusi, Hafiz Xhemali, Mihal Kaso, Ndrek Kici, Engjëll Serreqi, Ibrahim Xhindi, Seit Toptani, Ahmet Hastopalli, Rexhep Matja, Halit Rroji, Anton Beca, Pjetër Poga, Xheferr Ypi, Sulejman Starova, Spiro Papa dhe Dr. Simonidhi. Ky komision u ngarkua nga Asambleja për të përgatitur nenet e statutit për shpalljen e Monarkisë dhe proklamimin e Ahmet Zogut si Mbret i Shqiptarëve. Pasi komisioni i ngritur për këtë qëllim hartoi statutin, Kryetari i Asamblesë, Pandeli Evangjeli, iu drejtua të pranishmëve me këto fjalë: “Shqipnis ky regjim kurdoherë i është dukur i arsyeshëm për mirëqeverimin e saj dhe sa më shumë imponohet sot, kur për t‘i dhënë fuqinë mbretnore, kemi Nalt Madhëninë e tij, Ahmet Zogun, Shpëtimtarin e Kombit, të provuem me vepra madhështore patriotike në të gjithë kohën e vetsundimit t‘onë. Një Mbret në krye të Shqipnis, i jep kësaj nga një anë plot fuqi morale, dhe nga ana tjetër një qeveri të qetë dhe plot forcë për mirërritjen e Kombit në të gjitha cfaqjet e tij. Prandaj komisioni i statutit, Kunorën e Naltë të fronit historik Shqiptar, ia paraqet Shpëtimtarit të Kombit, Ahmet Zogut, në temën: Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve. Komisjoni me këtë rast propozon që të bahet tri ditë festë dhe 1 shtatori të shpallet si festë zyrtare”. Pas fjalës së kryetarit të Asamblesë, filloi votimi i të gjithë neneve të statutit të paraqitur nga komisioni përkatës dhe u vendos që po atë ditë të 1 shtatorit në ora 5 pasdreke të vinte në Parlament për të bërë betimin përpara Asamblesë, vetë Mbreti i porsashpallur Zogu i Parë. Sipas vendimit të Asamblesë, Ahmet Zogu u paraqit në Parlament në orën e caktuar duke bërë betimin solemn që sanksionohej nga statuti, betim i cili u prit me duartrokitje të gjata nga të pranishmit në sallë.
FJALA E ZOGUT NË PARLAMENT PAS SHPALLJES MBRET I SHQIPTARËVE
Pas bërjes së betimit, Mbreti Zog mbajti një fjalë përshëndetëse përpara të pranishmeve që ishin në sallë. Në fjalën e tij ai tha: “Zotërinj. Në mesazhin që iu dërgova para disa ditëve ju përshëndetshe tuj ju urue suksese Ju Etënve të Kombit. Sot, po ju drejtohem si shok, si bashkëpunëtor të idealit të përbashkët. N‘asht se në fjalimin tem nuk do të gjeni fjalët e nalta të krenve të ndershëm të stolisun me kunorë, të mos cuditeni. Se unë shof në kryesinë e Shtetit Shqiptar, në të cilën titull qoftë shëmbëlltyrën besnike të popullit dhe shërbyesin e palodhur të popullit. Sot në minutën kur ngarkohem me detyrën e randë dhe të naltë të shtetit prej vullnetit dhe dëshirës së popullit të cfaqun me vendimet e ndërgjegjies s‘uaj, do të veproj tuj marrë parasysh resposabilitetin moral të cilin herët ose vonë, dinë ta c‘moj populli shqiptar për naltësimin e vendit. Bota e ka marrë lajmin se dhe ne bijt e shqipes mund të krijojnë një shtet. Mbas sodit detyrën e kemi ma të randë se duhet t‘i tregojmë botës se edhe shqiptari si cdo popull i qytetnuem mund të marri kulturën e cila asht pasunija e të gjithëve dhe ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë tuj i sigurue vendit t‘onë një të ardhme të mirë mund ta paguejm një detyrë historike. Në regjimin e ri Shqipnia ka me qenë një faktor paqeje në Ballkan. Relasjonet që ekzistojnë sot me shtetet fqinje e dashamire do t‘i forcojmë akoma dhe ma tepër. Zogu me shokët e vet jo vetëm do të respektoj të drejtat kombëtare, por edhe kur të jetë nevoja, me dorë të naltë të atij ideali që na ka falë natyra edhe na i ka shënue historija, tue plotësue edhe vendin në sheshin e qytetnimit. Si të mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet e juaja dhe t‘i thoni popullit sovran se Prisi i tij, e shef botën si cdo shqiptar edhe se me sa shpejtësi e entuziazëm e keni vu në fronin e Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi keni me e gjet gjithmonë gati, për me i sakrifikue të gjitha, më asht nevoja dhe jetën, mbas dëshirit të tij dhe për të mirën e vendit. Zotnij, dalshi faqebardhë përpara historisë”. Pas fjalimit të tij, Ahmet Zogu i porsakurorëzuar si Mbret i Shqiptarëve, nën duartrokitjet e të pranishmeve që kishin mbushur sallën, ku mes tyre shquhej trupi diplomatik i akredituar në vëndin tonë dhe personalitetet e larta shtetnore të ftuara në këtë eveniment të rrallë që po përjetonte Shqipëria,u largua nga salla e Parlamentit i rrethuar nga deputetët. Jashtë selisë së Parlamentit, Mbretin Zog e priste një numër i madh njerëzish jo vetëm nga kryeqyteti, por edhe të ardhur nga vise të ndryshme të vendit, kryesisht nga zonat e Matit, Mirditës dhe Dibrës, të cilat njiheshin për besnikërinë dhe përkrahjen që i kishin dhënë Zogut deri në atë kohë.
PËRSHËNDETJA E PARË NGA AMBASADORI ITALIAN, UGO SOLA
Sapo mbaroi ceremonia e betimit nga të gjithë përfaqësuesit diplomatikë që ndoqën aktin e kurorëzimit të Mbretit të Shqiptarëve, ministri fuqiplotë i Italisë në Shqipëri, Ugo Sola, ishte i pari që i dërgoi mesazhin e urimit Mbretit Zog, ku ndërmjet të tjerash shprehej: “Nalt-Madhërisë së tij Mbret i Shqiptarëve. I paraqes Nalt-Madhërisë suaj përshëndetjen e parë të Kombit aliat. Qeverija e N. T. Mbretit të Italisë, më dërgoi urdhrin, të cilin me kënaqësi dhe gëzim e ushtronj, që të hynj menjëherë në relacione zyrtare me Qeverinë e Nalt-Madhërisë së Tij, Mbretit të Shqiptarëve. Qeveria ime pa së afërmi, me kënaqësi ndërrimin e regjimit, i cili priti Nalt-Madhërin tuaj në fronin, të cilin aliat besnik i Italisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeg, kishte lënë vakant prej pesë shekujsh. Unë jam i sigurtë se Nalt-Madhëria e juej do të frymëzoheni nga traditat e këtij të përparshmi të madh, për të mbajtun dhe për të forcumun ma tepër një aleancë, së cilës vleftën, fuqinë e ngjatjen e bajnë të ngutshme traditat historike dhe arsyet gjeografike. Vepra që Nalt-Madhëria e juej e cila ka fillue për dobi të popullit shqiptar, ja qysh sot asht ndjekun me urime të nxehta prej popullit dhe prej qeverisë së N. T. Sovranit t‘i, August”. Sola. Zogu i kthen mesazhin dhe falënderon qeverinë italiane Këtij telegrami që ministri italian në Shqipëri, Ugo Sola, i dërgonte Mbretit Zog, me anë të cilit Italia njihte zyrtarisht regjimin Monarkik të Shqipërisë, Ahmet Zogu iu përgjigj po me një telegram, ku në mes të tjerash i shkruante: “Shkëlqesisë së Tij, Ministrit të Italisë. Durrës. Jam thellësisht i mallëngjyer nga fjalët dhe urimet që Shkëlqesia Juaj me shfaqni. Kini mirësinë të parashtroni falenderimet e mija ma të nxehta N. M. Sovranit August të Italisë dhe Duces, ashtu dhe popullit të madh Italian, për përkrahjen që, me kreshnikëri i kanë bamun popullit shqiptar ashtu dhe personit tim.
Dua me sigurue Qeverinë aliate se relacionet miqësore dhe të sinqerta që ekzistiojnë, në kohën e arthme, nuku munt, vecse me u bamun gjithherë ma të përzemërta. Traktati i aleancës i lidhun ndërmjet dy qeverive do të vazhdojë shumë larg periudhës së caktueme; ka me vazhdue gjithmonë. Personalisht, unë falenmderoj Shkëlqesinë e juaj, që kini ndihmu kaq për të mbajtur relacione të mira në mes dy shteteve dhe me veprën e juaj të palodhur i prijtë gjithmonë fatbardhë. Detyrohem me ju lut, në mënyrë të posacme. Me sigurue rishtazi Ducen për mirënjohjen time dhe për miqësinë time të pandryshueshme”. Zogu i Parë. Pas telegramit të ministrit fuqiplotë (ambasadorit) të Italisë në Shqipëri, Ugo Sola, ku qeveria italiane e njihte Monarkinë Shqiptare dhe Mbretin Zog, në adresë të tij erdhën edhe shumë telegrame të tjera nga shtete të ndryshme të botës si: Hunmgaria, Greqia, Jugosllavia, Uruguaj, Bullgaria, SHBA-ja, Franca, Hollanda, Belgjika, Zvicra, Spanja, Polonia, Lituania, Letonia, Suedia, Finlanda, San Marino, Ekuadori, Egjipti etj. Mustafa Qemal Ataturku, nuk e njohu Zogun Mbret Ndërsa Monarkia Shqiptare dhe Mbreti Zog u njoh zyrtarisht nga një numër i madh shtetesh të botës, të cilat sic thamë më lart i dërguan edhe telegramet e urimit, ajo gjë nuk ndodhi me Turqinë, ku kryetari i atij shteti të madh me lidhje të vjetra historike me Shqipërinë, Mustafa Qenmal Ataturku, jo vetëm që nuk e njohu, por i acaroi marrdhëniet e tij me Zogun. Madje ajo cështje shkoi deri në mbylljen dhe tërheqjen e ambasadave përkatëse të dy vëndeve për një periudhë prej tre vjetësh. Kjo gjë bëri që të drejtat e popullsisë shqiptare që jetonte e punonte në Turqi, e cila përbënte një numër shumë të madh, do të mbroheshin nëpërmjet konsullatës italiane të akredituar në shtetin e madh aziatik, si aleatja dhe fqinja më e afërt e Shqipërisë.
DEKLARATA E ZOGUT NË GAZETËN LONDINEZE “THE ILY EXPRESS”
Shpallja e Ahmet Zogut si Mbret i Shqiptarëve, u festua me ceremoni të ndryshme zyrtare në të gjitha qytetet dhe krahinat e Shqipërisë në mbarë vëndin, ku mori pjesë pothuaj i gjithë populli. Po kështu ajo ngjarje zgjoi interesin edhe të shtypit botëror, ku mjaft gazetarë të njohur të gazetave prestigjioze vrapuan për në Shqipëri për të marrë ndonjë intervistë nga Mbreti Zog. Kështu, në një intervistë të gjatë prej dy orësh që Mbreti Zog dha në Tiranë ekskluzivisht për gazetën londineze “The Ily Express”, ndërmjet të tjerash deklaroi: “I vetmi ndryshim për mua tani është se më duhet të punoj 18 orë në ditë dhe kam mbi supe përgjegjësitë e tërë shtetit. Unë jam vetëm një punëtor dhe bëj detyrën time. Këtë kuptim ka për mua dinjiteti mbretnuer”. Kurorën Mbretërore të Shqipërisë, që Ahmet Zogu vuri mbi krye zyrtarisht më 1 shtator të vitit 1928, do ta mbante deri në 7 prillin e vitit 1939, kur ish-aleati i tij më i ngushtë, Benitio Musolini, kreu agresionin ushtarak ndaj Shqipërisë dhe e detyroi Mbretin Zog që të largohej përfundimisht nga vendi i tij, ku ai kishte qeverisur për gati 15 vjet me radhë. /Nga Dashnor KALOÇI/