Ceremonia martesore e kreut të socialistëve, Edi Rama me Linda Bashën tërhoqi vëmendjen e të gjithëve. Mbi 800 të ftuarit i kishin blerë çiftit dhurata nga më të çuditshmet. Pajisjet shtëpiake nga më luksozet dhe dhurata të tjera bënë që faturat e kësaj dasme të shkonte në mijëra e mijëra euro. Zgjedhjet kanë qenë nga më të çuditshmet siç janë edhe shishet e verës, apo shampanjës, që kapnin shifrat deri në 1500 euro.
Por siç dihet nga të gjithë, Edi Rama nuk e pi alkoolin. Vetë kreu i socialistëve thuhet se kishte porositur Gramoz Ruçin që t’iu thoshte deputetëve të mos shpenzonin për dasmën e tij. E më pas ka qenë Ruçi, ai që ka sugjeruar të jepnin nga 5000 lekë të reja për t’i blerë një dhuratë të përbashkët Ramës. Dhe dhurata ishte tejet e veçantë, një lampadar i bërë në Holandë me bambu dhe gizë. Lampadari kishte një çmim prej 3696 dollarësh dhe për të blerë këtë dhuratë ishin bashkuar 15 deri në 20 deputetë. Bëhet e ditur se ka qenë shumë e vështirë për të gjetur një dhuratë sipas shijeve të Edi Ramës, e për më tepër të gjendej brenda vendit. Të ftuar në dasmën e Edi Ramës kanë qenë personalitete të shtresës më të lartë, të cilët i kanë uruar martesën atij.
Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu realizuar më datë 25.10.2010 trajton pikërisht dasmën e kreut socialist Edi Rama, sot kryeministër i vendit dhe profilin e tij privat.
Martesa me Linda Ramën ishte e treta zyrtare për kreun e socialistëve të asaj kohe dhe e para ceremoni, apo si festë. Ata kishin vite që njiheshin dhe kjo gjë ishte e ditur nga rrethi i ngushtë i çiftit. Por nuk ishin shfaqur publikisht deri pak kohë përpara dasmës së tyre. Dasma me mbi 800 të ftuar ishte më e madhja organizuar në Shqipëri. Nuk dihen zyrtarisht kostot e dasmës, por sipas të dhënave nga shtypi, ajo ka qenë 30 mijë euro.
Por në jetën e tij, ai ka pasur një raport të gjatë me femrat, raporte këto shumë të përfolura dhe të bëra publike. Duke nisur nga 4 Korriku i 1986-s, kur ai shpalli martesën me Matilda Makoçin, një aktore e famshme dhe një prej yjeve të mesit të viteve ’80. Nga martesa e tyre lindi një djalë, Gregori. Të dy ishin të njohur dhe artistë, historia e tyre dukej si një histori suksesi, por në fakt nuk ishte ashtu. Pas 5 vitesh lidhja e tyre mori fund në rrethana jo shumë të qarta.
I divorcuar nga Makoçi, i larguar nga basketbolli, por gjithnjë i tërhequr nga sporti i ri i politikës, Edi Rama nisi të shfaqej sërish në publik në vitin 1991 nën shoqërinë e një pedagogeje të re, Delina Ficos. Raporti i tij me Ficon zgjati rreth 6 vite dhe jetuan bashkë në vende të ndryshme. Ishin aktivë në lëvizjet politike të kohës dhe jetuan edhe në një apartament që ishte në pronësi të Edi Ramës, që ndodhej pranë parkut të autobusave. Ata qenë duke u kthyer në shtëpi në Shkurt të vitit 1997, kur Edi Rama u godit në fytyrë nga persona të panjohur dhe dërgua në spital. Duket se ajo ditë qe edhe shfaqja e tyre e fundit bashkë në Shqipëri.
Menjëherë pas saj Rama u largua për në Paris ku kishte menduar të zhvendosej përfundimisht. Ndërsa Fico udhëtoi drejt SHBA-ve me një bursë studimi. Martesa mes tyre u zgjidh me mirëkuptimin e të dyve, duke ruajtur më pas edhe një raport miqësor.
Në vitin 1998 kur mbërriti në Tiranë me detyrën e Ministrit të Kulturës, Edi Rama shoqërohej nga një antropologe gjermane, Karolina Olstein, me të cilën ishte njohur në Paris. Marrëdhënia e tyre ishte publike dhe në Maj të vitit 1998, Karolina u vendos në Tiranë për të jetuar me Ramën. Ideja një martese mes tyre ishte e pranishme në atë kohë, pasi shfaqeshin bashkë kudo, edhe në evenimente të rëndësishme. Por marrëdhënia mes tyre u thye shpejt dhe përfundoi në verën e vitit 1999.
Por mungesa e një partnereje stabël dhe jeta e tij private u bë në shumë raste objekt kritikash për kundërshtarët e tij.
Në verën e vitit 1999 Edi Rama shfaqet në publik nën shoqërinë e një prezantuesje të njohur, 11 vjet më e vogël se ai, por e njohur që në fillim të viteve 90-të, Rudina Magjistari. Revista Klan botoi e para lajmin se mes Ministrit të Kulturës dhe ikonës së ekranit kishte nisur një marrëdhënie dashurie. Lajmi u përgënjeshtrua, por më vonë u prezantuan bashkë në publik në një dalje në Tv Klan. 4 vite më vonë ajo deklaroi se njiheshin nga larg dhe se për herë të parë janë takuar një nga lokalet e Tiranës.
“Dy njerëz të gjatë si ne, nuk mund të mos i binin në sy njëri-tjetrit”, deklaroi Magjistari. Historia e tyre u bë shpejt publike dhe zuri faqet e revistave dhe gazetave. Nga të gjitha marrëdhëniet publike të Edi Ramës me femrat, ajo me Rudina Magjistarin u komentua më tepër. Në fushatën elektorale të 2003-shit, ata u puthën në skenë. Pas më shumë se 7 vite bashkëjetesë ata u ndanë pa vënë kurorë. Lajmi u bë publik në media në prag të fushatës së vitit 2007.
*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012