Mbase mund të jetë totalisht rastësi por emërimi i sotëm i kreut të ri të Policisë së Qarkut Shkodër, nuk mund të kalojë pa u vënë re. Niko Brahimaj konsiderohet personi “i fortë” nga Policia e Shtetit, deri tani i vetmi, që shoqëroi ish- presidentin dhe ish- kryeministrin Sali Berisha në një qeli paraburgimi në komisariat. Ka qenë data 29 nëntor kur lideri i opozitës asokohe, u shoqërua për herë të parë e të fundit, duke qendruar i privuar nga liria për disa orë në një komisariat policie. Atëherë por edhe më pas, u fol se ishte një plan i kryeministrit të kohës Ilir Meta dhe ministrit të brendshëm Ilir Gjoni për të frikësuar Berishën, i cili në fakt ishte në kulmin e fuqisë opozitare, 3 vite pasi kishte lënë pushtetin.
Por kush është Niko Brahimaj?
Rreth 19 vite më parë, në 29 nëntor të vitit 2000, Niko Brahimaj ka urdhëruar shoqërimin në Polici të kreut të atëhershëm të opozitës, Sali Berisha, pas djegies së Komisariatit të Tropojës.
Shoqërimi i Sali Berishës dhe personave që ishin me të natën e 29 nëntorit të vitit 2000, ishte një operacion policor mjaft delikat. Të gjitha veprimet e kryera natën e shoqërimit të Berishës u bënë të nesërmen pasi ishte djegur komisariati i Tropojës. Pas marrjes së urdhrit nga eprorët Bilbil Mema dhe Veli Myftari, Niko Brahimaj kreu ndalimin e Sali Berishës.
Brahimaj ka mbajtur një sërë funksionesh, që nga kreu i policisë së Lezhës, kreu i Komisariatit të Tropojës apo dhe kreu i FLO-së, ndërkohë që ka qenë ndër emrat kryesor për të marrë postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në vitin 2013.
Pas ardhjes në pushtet të Sali Berishës, Niko Brahimaj ka qenë një ndër të liruarit e parë nga detyra. Ai u transferua si oficer roje në Has para se të pranonte të dilte në reformë, pasi nuk donte që të ulej në gradë, ashtu siç iu kërkua në atë kohë.