Qeveria thekson në relacionin e projektligjit, qe parashikon shpërndarjen e pronave shtetërore tek individët, se falja e pronave të institucioneve shtetërore do të sjellë edhe rritjen e sigurisë juridike te privatët. Pra, në këtë rast nuk do të tjetërsohen prona shtetërore si tokë truall, bujqësore, kullota apo pyje, por prona institucionesh.
“Vlen të përmendim këtu se problematika e regjimit të pronës në Shqipëri dhe e sigurisë juridike që lidhet me pronat, është një problematikë e kahershme dhe e trashëguar, që fatkeqësisht vazhdon ende të pengojë realizimin e shumë investimeve me potencial të lartë për vendin. Në shumë raporte ndërkombëtare, të tilla si raporti i përvitshëm ‘Doing Business’, theksohet se problematika e çështjes së pronave dhe e sigurisë juridike që lidhet me to pengon tërheqjen e investimeve të huaja dhe të investimeve të rëndësishme nga Shqipëria.
Ndaj, nisur nga fakti se regjimi juridik i pasurive të paluajtshme ndryshon në funksion të llojit apo të mënyrës së përdorimit të tokës (p.sh. tokë truall, tokë bujqësore, pyje, kullota, livadhe, toka të pafrytshme), propozimi për këtë rast është që shtesat dhe ndryshimet të kryhen pikërisht duke amenduar aktin normativ nr.4, të ndryshuar, që prek privatizimin e pronave të institucioneve shtetërore”, theksohet në relacion.