49- vjeçari Bekim Alla nga Librazhdi, në Shkodër njihej edhe me një emër tjetër. I vënë në pranga nga Policia e Shkodrës, mësohet se Alla ka kryer një sërë mashtrimesh sidomos në zonën e Bashkisë së Vau Dejësit. Madje, kanë qenë vetë banorët që janë mashtruar nga 49- vjeçari, ata që kanë vënë në lëvizje hetimin e policisë.
Vetëm pasi kanë dale në skenë këto denoncime, ka ardhur reagimi i shtetases së identifikuar nga policia me inicialet B.P. që është vetëm “maja e ajsbergut” të aktivitetit të Allës. Mësohet se denoncuesja është aktualisht drejtoreshë në një shkollë në Vau Dejës dhe pagesat i ka bërë për të siguruar vendin e punës, të cilin e kishte marrë në formë qoke nga një “i pushtetshëm”, tregojnë banorë të zonës.
Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ka hyrë “në lojë” edhe një person Ministrinë e Arsimit. Drejtoresha ka ushtruar presion tek ky person, po hetohen në gjendje të lirë.
Ajo çfarë konstatohet në këtë rast është se akoma nuk janë “dekonspriruar” emrat e personave të përfshirë në këtë aferë, me përjashtim të 49- vjeçarit nga Librazhdi. Pikërisht nisur edhe nga kjo origjinë, ai është paraqitur si një njeri me lidhje të forta politike. Aq më tepër, ku aktiviteti i mashtrimit nga Alla, ka nisur të zbulohet publikisht në vitin 2015.
Njoftimi i Policisë
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik – Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në kuadër të operacionit të koduar “Premtimi”, bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasit B.A. 49 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe ”Mashtrimi”, i dënuar dhe më parë për të njëjtat vepra penale”, njofton policia.policia
Ky shtetas, në muajin Janar 2018, dyshohet se i ka marrë nëpërmjet mashtrimit shtetases B.P., shumën prej 6000 euro për të marrë provimin e Licensës së mësuesisë, si dhe shumën 4000 euro për të marrë një të drejtë studimi jashtë shtetit për djalin e saj. Si edhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek shtetasi E.S., punonjës në fushën e arsimit.
Gjithashtu, u proçeduan në gjendje të lirë shtetasit B.P. për veprën penale ” Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe E.S. për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.