Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, deklaroi se prokurori Vatë Staka nuk është nën hetim. Përmes një shkrese kontestuese që kabineti i saj i dërgoi BIRN, Marku pranon ndryshimin e akteve të dorëzuara nga prokurori Vatë Staka në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, si pjesë e procesit të vetingut.
Përmes argumenteve të llojit “po hetohet çështja, por jo personi” apo konkluzioneve mbi përgjegjësit e mundshëm, në kohën kur Prokuroria e Shkodrës ka ende një procedim të hapur, Marku shfajëson Stakën dhe kërkon përgënjeshtrimin e artikullit të datës 21 maj me titull: Anëtari i ri i KLP-së, nën hetim për “zhdukje të fashikujve hetimor”.
Në shkresën e firmosur nga drejtori i kabinetit, Alketa Zifla shpjegohet se Prokuroria e Përgjithshme kishte nisur procesin e verifikimit, menjëherë pas marrjes së njoftimeve se janë vërejtur ndryshime në aktet e dorëzuara nga prokurori Vatë Staka në KPK.
“Në përfundim të këtij procesi ka rezultuar se janë konstatuar ndryshime vetëm në formën e këtyre akteve (formatim, rregullim i shkronjave ‘ë’ dhe ‘ç’), por jo në përmbajtje dhe për më tepër në vendimmarrje”, thuhet në shkresën e kabinetit të Markut për BIRN. Ndonëse aktet “e ndryshuara në formë” dhe të denoncuara në media mbajnë sërish firmën e prokurorit Staka, Kryeprokurorja Marku arrin në përfundimin se “veprime të tilla janë kryer në arkivin e Prokurorisë Shkodër dhe nga persona që kanë qenë të ngarkuar me ruajtjen dhe administrimin e dosjeve përkatëse”.
Artikulli i publikuar në datën 21 maj nga BIRN, me autor gazetarin Besar Likmeta, evidentonte faktin se prokurori Vatë Staka u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në kohën kur kishte një hetim të nisur nga Prokuroria e Shkodrës për “zhdukje të fashikujve hetimorë”. Shkrimi u bazua te përgjigjet e kërkesave për të drejtë informimi, që BIRN mori nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Të dyja institucionet u pyetën qartësisht mbi hapat ligjorë të ndjekur për verifikimin e akuzave për falsifikimin e akteve që prokurori Vatë Staka dorëzoi në KPK si pjesë e procesit të vetingut.
Përmes një shkrese të firmosur nga Marku, Prokuroria e Përgjithshme u përgjigj se nuk ishte regjistruar një hetim disiplinor ndaj prokurorit Vatë Staka, por materiali ishte dërguar për kompetencë dhe zgjidhje ligjore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Ndërsa Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër u përgjigj se referimi i Prokurorisë së Përgjithshme është “duke u trajtuar (hetuar) në kuadër të procedimit penal nr.2132 të vitit 2018”. Prokuroria e Shkodrës shtoi gjithashtu se çështja është bashkuar me një procedim tjetër të regjistruar në vitin 2019 për veprën penale të “zhdukjes ose humbjes së fashikullit”. /Burimi:BIRN/