Një qeveri e gatshme të marrë pushtetin në Shqipërinë komuniste. Kjo sapo diktatori Enver Hosha të ndërronte jetë. Informacioni kishte qarkulluar në burgjet shqiptare, pak muaj para se Hoxha të ikte nga kjo botë në prill 1985. Një përgjim i zbuluar në Shkodër në vitin 1984, sjell në vemendje një periudhë që pak ose aspak është ybardhur dhe burimi i informacionit është burgu i Qafë- Barit.
Nga një përgjim në Shkodër, në nëntor të 1984, zbulohet se pak muaj para vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, qarkullonin fjalë mbi një megaplan, sipas të cilit, menjëherë pas vdekjes së Enver Hoxhës, ose pas vrasjes së tij, do të organizoheshin në një kryengritje masive të gjithë burgjet e Shqipërisë. Po ashtu, thuhej se në burg ishte formuar edhe qeveria që do ta zëvendësonte menjëherë qeverinë e Hoxhës.
Informacionet ishin vjelë përmes rrugëve operative, nga një i arrestuar për veprimtari armiqësore në favor të zbulimit jugosllav, i quajtur Shtjefën Pjalmi. Ai i kishte marrë informacionet nga një ish i burgosur, që kishte vuajtur 19 vite në burgun e Spaçit, i cili quhej Flamur.
Sipas këtyre informacioneve, të burgosurit ishin organizuar më së miri dhe kishin ndihmë edhe nga jashtë për koordinimin e veprimeve.
Nga ky informacion i marrë në rrugë operative, nga bashkëpunëtori “Furtuna”, ishin shkëputur pikërisht këto dy ekstrakte, që më vonë ishin depozituar në dosjen e burgut të Qafë Barit. Dy ekstraktet i sjellim në “Kujto.al”, të plota, si më poshtë, bashkë me faksimilet e tyre:
Sekret
Ekzemplar Nr.1
Shkodër, më 6.12.1984
EKSTRAKT
Nxjerrë nga e dhëna e bp. “Furtuna” e datës 2.11.1984
…Më pas Shtjefën Pjalmi i tregon burimit: ”Kam ndenjur para disa ditësh me një Flamur nga Shkodra, që ka qenë marinar dhe ka bërë 19 vjet burg në Spaç. Ai më ka thënë një gjë shumë sekrete që vetëm ti po e dëgjon nga goja ime. Të burgosurit janë organizuar në atë mënyrë që sapo të vdesë Udhëheqësi Kryesor ose ta vrasin, të gjithë të ngrihen në kryengritje në tërë burgjet e Shqipërisë. Ata e dinë veten të vdekur prandaj do të ngrihen. Më tha Flamuri se ky organizim është bërë në mënyrë të përsosur”…
Furtuna
Sqarim: Personi me emrin Flamur nuk njihet nga ana jonë, ndërsa Shtjefën Pjalmi është arrestuar për veprimtari armiqësore në favor të zbulimit jugosllav.
Punëtori operativ
Sokrat Paskali
(firma)
Sekret
Ekzemplar nr.5
Shkodër, më 6.12.1984
EKSTRAKT
Nxjerrë nga e dhëna e b.p. “Furtuna” e datës 12.11.1984
Burimi e pyet Shtjefën Pjalmin se më fole për atë Flamurin. Di gjë ai për organizimin e të burgosurve? Shtjefni përgjigjet: “Ai ka ndenjur disa vjet në burg me njerëz të mëdhenj. Atje në burg është formuar qeveria, që do të vendoset sapo të vdesë Udhëheqësi Kryesor i Partisë. Çdo gjë është gati. Pritet shpërthimi me rastin e vdekjes. Burimi i thotë se si ka mundësi që të burgosurit të lidhen me njëri-tjetrin në burgje të ndryshme? Shtjefni tregon: “Mund të jetë ndonjë njeri i jashtëm që lëviz dhe organizon këtë punë”…
Furtuna
Sqarim: Shtjefën Pjalmi është arrestuar për veprimtari armiqësore në favor të zbulimit jugosllav, duke u ndjekur në problemin e centralizuar “Majmuni”.
Punëtori operativ
Sokrat Paskali
(firma)