Tirana luajti ditën e djeshme ndeshjen e javës së 35-të dhe të parafundit në Laç, nga ku edhe fitoi me shifrat 1-3. Në mbështetje të ekipit bardhebluve, ishte një numër i konsiderueshëm tifozësh, që kishin shkuar për të përkrahur ekipin në një moment delikat që po kalon.
Por, në rrjetet sociale po qarkullon një video aspak e hijshme, që nuk i shkon aspak për shtat një nga tifozerive më të mëdha në Shqipëri, e cila pritet të jetë edhe frymëzim për grupe tifozësh në qytete edhe më të vogla në vendin tonë.
Në video, shihen një pjesë e mirë e tifozëve në Laç, që thërrasin në një moment të sfidës “Allahu ekber”. Një thirrje kjo që bëhet në një qytet si Laçi, i cili personifikohet edhe me një nga objektet e shenjta fetare, siç është e njohur gjerësisht edhe “Kisha e Laçit”.
Gjithsesi, nuk dihet nëse ky është një provokim nga ana e tifozë të Tiranës, por bëhet edhe në një muaj të shenjtë për besimtarët myslimanë, siç është edhe muaji i ramazanit.
Gjithashtu, pas këtyre thirrjeve, vijnë edhe disa të shara me fjalor banal, dhe me libër shtëpie, drejtuar tribunës kryesore, ku gjendeshin tifozë të Laçit.