Nga sherri me fjalë, tek plumbi kokës. Ngjarja e rëndë është verifikuar në Pezë të Tiranës, ndërsa në qendër është një efektiv i FNSH-së. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, efektivi i FNSH ka qenë duke punuar në një banesë të vjetër. Në rrethana akoma të pa sqaruara, ai ka patur një sherr me fjalë e më pas fizik me një shtetas. Duket se situata ka precipituar dhe efektivi i FNSH-së ka nxjerrë pistoletën e shërbimit dhe ka qëlluar në kokë shtetasin me të cilin bëri sherr.
Më pas, autori është dorëzuar pranë repartit të FNSH-së në Tiranë ku edhe sherbente. Më poshtë, njoftimi i plotë i policisë për ngjarjen e rëndë.
Njoftimi i plotë i policisë:
Tiranë
Specialistët e Sektorit të Krimeve Ndaj Jetës në D.V.P Tiranë, në bashkëpunim Komisariatin e Policisë Nr 6 dhe me Specialistët e Drejtorisë Rajonale të SH.Ç.B.A Tiranë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
F. K., 58 vjeç, lindur në fshatin Dorëz, njësia administrative Pezë dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në repartin e FNSH Tiranë
Arrestimi i tij u bë pasi shtetasi F.K, duke punuar në banesën e tij të vjetër, në fshatin Dorëz dhe pas një konflikti verbal dhe fizik me shtetasin E. K., me armën e shërbimit ka qëlluar në kokë shtetasin E. K., i cili është dërguar me urgjencë në SUT –Tiranë, dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Menjëherë pas ngjarjes, punonjësi i policisë F. K. është vetë dorëzuar pranë repartit të FNSH Tiranë, ku edhe shërbente.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një arme zjarri pistoletë, së bashku me karikatorin me 12 fishekë.
Materialet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, do ti kalohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, për hetime të më tejshme në ngarkim të shtetasit F. K., për veprën penale, “Vrasja me dashje”, e ngelur në tentativë .