Një shans për t’u ringritur nga toka… ishullore. Sot Shqipëria duhet që të paktën të mos humbasë ndaj një rivali direkt për të sulmuar vendet e nderit në Grupin H.
Me Francën kryesuese që është një planet tjetër në realitetin e grupit tonë, por edhe me Turqinë që na mposhti në sfidën e parë, kuqezinjtë kanë sot mundësinë për të treguar veten ndaj një kundërshtari si Islanda, që ka po tri pikë dhe ashtu si ne fitoren e vetme e ka kundër Andorrës.
Me vendin e dytë dhe të tretë që duket i hapur deri në fund, Kombëtarja e Edi Rejas ka në Rejkjavik një provë karakteri për t’u ndarë njëherë e mirë nga një periudhë e errët, ku identiteti kishte humbur dhe për më tepër nuk kishte më besim. Një rezultat pozitiv ndaj Islandës mund të rikthejë shpresën te kuqezinjtë, por në të njëjtën kohë do t’i japë mundësinë trajnerit të ri për të punuar më i qetë në vazhdimësi. Në katër ditë, Shqipëria luan fatin e një edicioni, sepse pas ndeshjes me Islandën, më 11 qershor pret Moldavinë në “Elbasan Arena”, aty ku trepikëshi bëhet detyrim.
Sa i përket formacionit zyrtar, Reja debuton me eksperiment duke e konfirmuar 3-5-2 e tij me Dermakun, Ismajlin dhe Veselin në qendër të mbrojtjes ndërkohë që në krahë janë të vendosur Hysaj dhe Lenjani. Qendra e mesfushës përbëhet nga Basha e Xhaka ndërkohë që Abrashi qëndron para mbrojtjes. Sulmi i është besuar dyshes Cikalleshi-Balaj.
FORMACIONET ZYRTARE:
Islanda: Haldorson, Hermanson, R.Sigurdson, Gudmuson, Bajrnanson, G. Sigurdson, Arnason, Sigurnjoson, Gunarson, Kjartanson, Skulason.
Shqipëria: Berisha, Dermaku, Lenjani, Hysaj, Veseli, Ismajili, Basha, Xhaka, Cikalleshi, Balaj, Abrashi