Drejtuesit e Partizanit nuk do të kursehen në merkato, në mënyrë që të afrojnë lojtarë me emër dhe të afirmuar në arenën europiane. Pas finalizimit të titullit kampion, tani “basti” i radhës i presidentit Demi.
Demi është ecuria në Kupat e Europës. Merkatoja e verës pritet të shoqërohet me goditje “big” në kampin e kuq dhe njëri prej tyre mendohet se do të jetë sulmuesi i Kombëtares, Bekim Balaj. Shkodrani është lojtar i lirë dhe falë menaxherit të tij, Shkumbin Qormemeti, i cili ka nisur bashkëpunimin me “demat”, pritet që të nisë një aventurë të re me Partizanin.
Burime pranë klubit të kuq bëjnë me dije se Bekim Balaj është një hap larg zyrtarizimit te të kuqtë e kryeqytetit. Bisedimet mes palëve kanë përparuar dhe pas ndeshjes që Kombëtarja luan ndaj Moldavisë, parashikohet që sulmuesi shkodran të ulet në bisedime me drejtuesit e klubit për të mbyllur marrëveshjen dhe për të qenë gati për të nisur përgatitjet.
Pjesëmarrja në Champions mund të jetë joshëse për 28-vjeçarin, i cili pritet të vijë si lojtar i lirë te Partizani, pasi është larguar nga çeçenët e Akmat Groznit. Balaj te Partizani mund të jetë goditja e merkatos së verës në Shqipëri, por edhe si një shans për “bomberin” për të treguar veten fillimisht në arenën europiane me fanellën e kuqe dhe më pas në Kategorinë Superiore.
Në sezonin e fundit, Balaj nuk pati shumë hapësira tek Akhmat Grozni, ku shënoi 3 gola në kampionat dhe para disa ditësh është “divorcuar” me klubin çeçen. Nëse finalizohet ky transferim, i bie që Partizani ta ketë mbyllur “gropën” në majë të sulmit dhe të shpresojë që shkodrani të jetë një investim me vlerë dhe që të mos përsëritet dështimi që pësuan me afrimin e një tjetër sulmuesi të kombëtares, Edgar Çani.