Komisioni për Zgjerimin Europian, Johannes Hahn, thotë se nuk do të hapen negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë të paktën për këtë verë. Tre janë shtetet skeptike sipas Hahn, përkatësisht Gjermania, Franca dhe Danimarka. Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Hahn tha se disa vende të BE-së nuk janë të gatshme për hapjen e negociatave.
“Komisioni Evropian vlerëson dhe beson sërish se këto vende duhet të shpërblehen. Nuk është në interes të vetëm këtyre 6 vendeve të Ballkanit që të bëhen pjesë e BE-së, por është edhe në interesin tonë. Të gjitha këto bazohen edhe në merita individuale. Zgjerimi ndikon për stabilitetin në rajon, megjithatë një vendim nuk është arritur të merret në lidhje me hapjen e negociatave, të paktën këtë verë. Kërkohet më shumë kohë për rekomandimet tona që ata të bëjnë vlerësimet e tyre”, tha ai.
I pranishëm në konferencën për shtyp, ministri rumun për Çështjet Europiane, George Ciamba, tha se Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian nuk ka marrë ende asnjë vendim, për shkak se raportet, sipas tij, kanë ardhur me vonesë.
“Ka pasur një punë të mirë dhe të dobishme. Kemi diskutuar për këtë semestër, përgatitjet për Këshillin Europian, për axhendën që duhet të jetë më ambicioze, kemi diskutuar për zgjerimin për vendet kandidate për në BE. Nuk është marrë një vendim ende. Parlamenti Europain dhe Këshilli Europian nuk kanë marrë një vendim. Raportet kanë ardhur me vonesë. Shpresoj që deri në fund të kemi një vendim. Shpresoj të kemi përgjigjej pozitive sa i përket zgjerimit. Kemi parë me kujdes gjithçka ka dhënë Komisioni Europian. Kemi theksuar stabilitetin në Rajon, jemi përpjekur të theksojmë gjërat më të rëndësishme”, tha ai.