Ndërsa sot është paralajmëruar një miting elektoral i PS-së me pjesëmarrjen e Edi Ramës, Bashkia e Shkodrës ka njoftuar se nuk ka miratuar lejen për aktivitet elektoral në Pedonalen e qytetit. Në një njoftim për mediat, të shpërndarë bashkë me shkresat e Bashkisë Shkodër, qeverisja vendore thekson se nuk ka zgjedhje me 30 qershor pas dekretit të presidentit Meta që i anuloi. Po ashtu, Bashkia bën me dije se aktivitete të tilla cënojnë edhe sezonin turistik që ka nisur. Madje, Bashkia nënvizon se Policia Bashkiake është në gatishmëri për të ruajtur rendin e sigurinë publike për çdo shkelje të mundshme.
“Bashkia e Shkodrës, në zbatim të dekretit të Presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, nuk ka miratuar kërkesën e Partisë Socialiste për zhvillimin e një aktiviteti elektoral në Pedonalen e qytetit.
Bazuar në arsyetimin e mësipërm, në përgjigje të një shkrese të Komisariatit të Policisë Vendore Shkodër, Bashkia e Shkodrës ka vënë në dijeni për mosmiratimin e lejes për aktivitet elektoral të Partisë Socialiste.
Policia Bashkiake është e vendosur të realizojë detyrën e saj funksionale ligjore për garantimin e rendit dhe qetësisë publike në të gjithë territorin e Bashkisë së Shkodrës dhe për çdo shkelje, të veprojë në bazë të kompetencave dhe legjislacionit në fuqi.
Bashkëngjitur, komunikimi zyrtar i Bashkisë Shkodër.”