Ish- deputeti i PD-së Bardh Spahia do të dalë të shtunën para gjykatës së Shkodrës për vlerësimin e masës së sigurisë. Burime nga mbrojtja ligjore e ish- deputetit bëjnë me dije se mëngjesin e ditës së shtunë, Spahia do të sillet në Shkodër nga Tirana ku ai mbahet prej dy ditësh në paraburgim. Bashkë me Spahinë, para gjykatës pritet të dalin edhe 5 personat e tjerë të arrestuar pas ngjarjeve në shkollën “Shejnaze Juka” në fillimin e kësaj jave që po mbyllet.
Sipas avokatëve mbrojtës, nuk ka asnjë shkak ligjor të mbahen në arrest personat e ndaluar nga policia. Mes tyre ka persona që janë vënë në pranga vetëm për debat verbal me punonjës e drejtues policie. Ka madje edhe të tjerë që janë në burg sepse janë filmuar me një shishe plastike në dorë, e mbushur me ujë dhe që nga policia është konsideruar e mbushur me benzinë, edhe pse personi e ka pirë vetë para se t’ia hedhë flakës që sapo kishte nisur në parvazin e një dritareje.
Sipas avokatëve mbrojtës, seanca për masën e sigurisë pritet të zhvillohet në orën 09.00 të mëngjesit të së shtunës.