Ditën e sotme Gjykata e Shkodrës ka bërë vlerësimin e masës së sigurisë për 6 personat e vënë në pranga për ngjarjen në shkollën “Shejnaze Juka”. Fillimisht, kanë dalë para gjykatësit Tonin Sterkaj 5 personat e kapur menjëherë pas incidenteve nga uniformat blu. Kështu, dy policë bashkiakë u lanë në “arrest me burg” për 30 ditë, dy persona të tjerë në “arrest shtëpie” dhe një person nën 18- vjeç në “detyrim paraqitje”. Pikërisht për shkak të këtij personi, nuk u lejua prania e askujt në sallën e gjykaatës.
I fundit që ka dalë para gjykatës, ishte ish- deputeti Bardh Spahia. Në sallë u lejua prania edhe e ish- deputetëve të PD-së dhe kryetares së Bashkisë Shkodër Voltana Ademi. Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg”, ndërsa mbrojtja e ish- deputetit lirinë e tij. Në fund, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish- deputetin Spahija.
Në fotot e dala gjatë seancës, Spahija duket i buzëqeshur me dy gishtat lart. Për mediat ka dalë edhe një video e shkurtër nga salla e gjykatës, ndërsa trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendimin.