Presidenti i vendit, Ilir Meta i ka kthyer sot nje tjeter ligj Kuvendit te Shqiperise. Presidenca ben me dije se Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “PËR SHËRBIMIN PËRMBARIMOR GJYQËSOR PRIVAT”.
Bashke me dekretin per kthimin mbrapsht, presidenti numeron edhe argumentimet ligjore pse ky ligj nuk duhet te marre firmen e tij dhe duhet te kaloje per rishikim ne Kuvend.
“Është përgjegjësi e qeverisë dhe e Kuvendit të Shqipërisë që të kujdeset për përmirësimin e njëtrajtshëm të legjislacionit për të dy këto shërbime përmbarimore (shtetërore dhe private) në mënyrë që cilësia e veprimtarisë së tyre të ofrojë mundësisht të njëtin standard të trajtimit me ligj”- thuhet ne arsyetimin e Presidentit.
Sipas tij, Në të kundërt, nëse një prej këtyre shërbimeve (privati) do të kishte një bazë ligjore të shëndoshë dhe shërbimi tjetër jo (shtetërori), atëherë është e pashmangshme një situatë favorizuese ndaj njërit (privatit), dhe në këtë mënyrë cilësia e veprimtarisë ndaj qytetarit në shërbimin përmbarimor shtetëror do të krijonte problematikë për shkak të pamundësisë për të operuar me një legjislacion që i përgjigjet kërkesave të kohës.
Presidenti vlereson se “Përcaktimi i një politike të qartë dhe të shprehur mbi këtë çështje është detyrë e organeve shtetërore që ushtrojnë autoritetin rregullator mbi të dy këto shërbimeve”.
Ne fund, Meta gjen rastin t’i drejtojë këtë mesazh qeverisë shqiptare dhe Kuvendit të Shqipërisë, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm në realizimin e nismës ligjore për përmirësimin e legjislacionit që rregullon veprimtarinë e Shërbimit Përmbarimor Shtetëror, për ta sjellë atë në të njëjtat standarde të parashikimit ligjor me ato të Shërbimit Përmbarimor Privat, në mënyrë që, të nxitet edhe konkurencën midis tyre, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarit dhe rritjes së nivelit të ekzekutimit të titujve ekzekutivë.