Bashkia e Shkodrës, përfaqësuar nga kryetarja zj. Voltana ADEMI ka kallëzuar penalisht ministrin e brendshëm z. Sandër LLESHAJ dhe punonjës të Policisë së Shtetit për “shpërdorim detyre”. Padia është depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Bashkia e Shkodrës kërkon edhe “pezullim të ushtrimit të detyrës publike” për personat e kallëzuar penalisht. Në parashtrimin e saj, në kallëzimin penal drejtuar organit të Akuzës, nënvizohet se: “Në cilësinë e Kryetares së e bashkisë Shkodër së bashku me qytetarët e Shkodrës po bënim manifestim paqësor , në mbrojte të të drejtave dhe lirive themelore Kushtetuese, mbrojten e drejtës së votës, e cila është parimi kryesor në zbatim të Kushtetutës. Manifestimi ishte paqësor dhe konform dispozitave ligjore në fuqi. Nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit dhe punonjësve të Drejtorisë së Policisë Vendore Shkodër, është hedhur masivisht gazi me lëndë helmuese mbi qytetaret të cilët po manifiestonin paqësisht në qytetin e tyre, situatë e cila është pasqyruar direkt live në mediat Lokale dhe Kombëtare . Pamjet filmike provojnë qartazi se efektivë të Policisë së Shtetit,dhe drejtues të saj si dhe efektivë në nivel zbatues, dhe me dyshimin e arsyeshëm për urdhër të paligjshëm të Ministrit të Brendshëm, me anë të veprimeve të tyre kanë konsumuar elementë të veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i K.Penal.”.
Në vazhdim të kallëzimit penal, nënvizohet se “Përdorimi i armëve për përhapjen e gazrave irrituese, helmuese është kryer duke cënuar nenin 47 të Kushtetutës, nenet 5, 17, 85, 86, 102 dhe 133 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” i ndryshuar, nenet 106, 107, 108, 109, 110 dhe 111 të VKM Nr. 750, datë 16.9.2015 “Për miratimin e rregullores së Policisë së Shtetit”.”. Bashkia e Shkodrës, në kallëzimin penal për ministrin e brendshëm dhe punonjës të Policisë së Shtetit thotë se “Siç tregojnë edhe pamjet filmike, punonjësit e Policisë së Shtetit kanë sulmuar me gaz edhe protestues të cilit ishin në kushte të pamundura shëndetësore, apo persona që po u vinin atyre në ndihmë. Kjo metodë kriminale, është shkelje flagrante e ligjit, që vë në rrezik serioz jetën e qytetarëve dhe personave që ishin duke i ndihmuar ato…. I kerkojme prokurorise qe te hetoje se cfare urdherash jane dhene qe para dates 20 qershor 2019 ne lidhje me protesten e kesaj date dhe veqanerisht urdherat e kesaj date ne lidhje me perdorimin e gazit irritues/helmues nga ana e policise per shperndarjen e protestueve. Kjo do te ndante pergjegjsine ligjore individuale te gjithsecilit ne kete shkelje te rende ligjore komform kesaj pike ligjore.”.”, thuhet në kallëzimin penal të bërë nga Bashkia e Shkodrës. Bashkangjitur, dokumenti i kallëzimit penal të depozituar nga Bashkia e Shkodrës ndaj ministrit të brendshëm z. Sandër LLESHAJ dhe punonjësve të Policisë së Shtetit për përdorimin e gazit në protestën paqësore të 20 qershor 2019 në qytetin e Shkodrës./NJOFTIM PËR MEDIAT NGA BASHKIA SHKODËR, 27 QERSHOR 2019/