Qendra e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve në Bushat të Vaut të Dejës është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme. Protestuesit e opozitës i kanë vënë zjarrin KZAZ-së që ndodhet tek Shkolla Profesionale “Ndre Mjeda” atje. Paraprakisht flitet edhe për tre policë të lënduar nga molotovi, të cilët kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të shuar zjarrin.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj duke reaguar për djegien e një KZAZ-je në Vau Dejës, thotë se ligji do të veprojë. “Përsëri sulmohet me molotov një shkollë në Shkodër, si shenjë skizofrenie politike e PD për të penguar zgjedhjet. Kryetarët pa mandat nuk mund të mbajnë peng bashkitë me molotov. Ligji do të veprojë!”, shkruan Lleshaj në rrjete sociale.