Nga dje Policia e Shtetit del në gadishmëri të përforcuar, e ndërsa që prej mbrëmjes të së shtunës, pak orë para se të nisë edhe procesi zgjedhor, do të pozicionohen pranë qendrave të votimit në të gjithë vendin. Përgatitja e rreth 7500 oficerëve të niveleve të ndryshme ka nisur që në muajin mars, për hartimin e detyrave në Programin e Punës, për sigurimin e rendit dhe të sigurisë në procesin zgjedhor, detyra të cilat vazhdimisht janë përditësuar në varësi edhe të situatave të krijuara në disa KZAZ në disa qarqe të ndryshme. Prej ditësh ka nisur edhe plani i masave për sigurimin e më shumë se 5000 Qendra Votimi dhe në 90 KZAZ. Burime pranë policisë pohuan se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i ka dërguar KQZ-së, listën me rreth 6000 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë; si dhe listën me mbi 200 automjete civile që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë. Përveç punonjësve të Policisë në Drejtoritë Vendore, nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë dhe Drejtorive të Kufirit dhe Migracionit do të dërgohen mbi 1000 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor, dhe do të vihen në dispozicion disa automjete të tjera.
Rreth 200 punonjës të Policisë të objekteve do të lirohen nga detyra për sigurimin e tyre dhe do të marrin detyra për procesin zgjedhor. Burimet saktësuan se në çdo qendër votimi do të ketë të paktën nga dy oficerë policie, e ndërhyrja e tyre brenda qendrës do të bëhet vetëm me kërkesë të komisionerëve në ndonjë rast të mundshëm incidenti. Prezencë më të shtuar të uniformave blu do të ketë vetëm në bashkitë e djathta, ku mendohet se mund të ketë edhe përplasje, për moszhvillim të zgjedhjeve.Pikërisht në këto bashki, si Kamëz, Vorë, Kavajë, Shkodër, Devoll, Kukës, Pogradec, Klos, Selenicë, e në disa qytete të tjera, prezenca e policisë do të jetë më e shtuar. Në këto zona, është programuar që të qëndrojnë mbi 20 oficerë e të paktën nga 5 grupe të FNSH-së do të qëndrojnë në gatishmëri në disa pika të ndryshme, e do të ndërhyjnë vetëm me kërkesë të komisionerëve. Ndërkohë, një tjetër masë e marrë nga policia, është edhe ajo e oficerëve të krimeve që qëndronin civilë, ditën e zgjedhjeve në terren do të dalin të veshur me uniformën e policisë së rendit, kjo për të mos krijuar tension apo përplasje me simpatizantë të opozitës.