Ishte paralajmëruar dhe ka ndodhur. Forcat RENEA kanë nisur shpërndarjen e tyre në territor, në kuadër të masava të paralajmëruara për “30 qershorin”. Në fokus, janë bashkitë që aktualisht drejtohen nga opozita, e cila nuk njeh këtë të diel si ditë votimesh. Pasditen e të premtës këto trupa speciale, kanë mbërritur edhe në Shkodër. Ndërsa nuk bëhet i ditur numri i saktë i tyre, mësohet se forcat RENEA janë pritur fillimisht nga drejtuesit e lartë të policisë vendore dhe më pas janë dislokuar sipas planit operacional të përgatitur paraprakisht. Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur ose shkurt RENEA janë forcat më elitare policore të Shqipërisë. Janë nje nga grupet me pergatitjen me të larte fizike dhe ushtarake në Shqipëri. Historia e këtij reparti nis në vitin 1982, kur u krijua Batalioni 326 i Ministrisë së Brendshme, i cili fillimisht pati detyra antidemonstratë. Elementët e përzgjedhur ishin ushtarakë profesionistë dhe vinin kryesisht nga policia, Garda, ushtria dhe nga zhytësit e Marinës Luftarake. Kjo do të shërbente edhe si bërthama e mëvonshme për ngritjen e RENEA-s.