Kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, për të cilin kryeministri Edi Rama ka firmosur shkarkimin nga detyra, është thirrur sot nga Policia e Shkodrës, për t’u pyetur mbi incidentin e rëndë, që ndodhi në KZAZ e kësaj bashkie, e cila ishte vendosur në shkollën “Ndreu Mjeda”. Burimet bëjnë me dije se kryebashkiaku Hila është thirrur për t’u paraqitur në ambientet e komisariatit të Shkodrës sot në orën 12:00. Të njëjtat burime thanë se Zef Hila është shprehur para uniformave blu se nuk ka pasur dijeni për çfarë do të ndodhte në KZAZ-në e Vaut të Dejës. “Dija vetëm që do të bëhet protestë paqësore. Nuk kam dijeni për asgjë tjetër”, mësohet të ketë thënë Hila para policëve. Procesi zgjedhor në Vaun e Dejës u shoqërua me tensione të forta mes mbështetësve të opozitës dhe policisë. Gjatë përplasjes, protestuesit i vunë zjarrin shkollës “Ndre Mjeda” në Bushat, në të cilën ndodhej KZAZ-ja. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, kryeministri Edi Rama firmosi shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hila.