Njoftim për mediat i Policisë së Shtetit: Policia e Shtetit ka ndaluar sot në mbrëmje në Peshkopi një person me precedente të shumëfishtë penale, ndaj edhe aksioni i ndalimit ka qenë kompleks. Nisur nga të dhënat e marra në rrugë operative, aksioni ishte me risk të shtuar. Në kushtet e këtij aksioni të zhvilluar në një situatë të tensionuar, një punonjës i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë është treguar i pakujdesshëm duke shtyrë një gazetar teksa po filmonte me celular operacionin. Policia e Shtetit shpreh keqardhje për këtë incident duke i kërkuar ndjesë gazetarit të TV “News 24”. Ky akt i pakëndshëm erdhi si rezultat i aksionit të zhvilluar nën tension dhe pamundësisë së punonjësit të Policisë për të identifikuar në kohë të shpejtë gazetarin. Pavarësisht situatës së krijuar, Policia e Shtetit siguron të gjithë qytetarët dhe gazetarët se është në shërbim të tyre dhe ndodhi të tilla nuk do lejohen të përsëriten, pavarësisht arsyeve dhe situatave.
Reagimi i Presidentit Meta: Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta dënon me forcë dhunën fizike të ushtruar nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj gazetarit të “News 24”, z.Enver Doçi, i cili ishte në krye të detyrës. Presidenti Meta duke i uruar shërim të shpejtë, shpreh solidaritetin e plotë me z.Doçi dhe të gjithë gazetarët që me guxim, kurajo e profesionalizëm i shërbejnë interesit publik përmes fakteve dhe të vërtetave. Presidenti Meta apelon zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje të rëndë duke përsëritur thirrjen e tij për ndëshkimin e të gjithë autorëve të dhunës, shantazhit, kërcënimeve e presionit ndaj gazetarëve. Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike.