Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike shifrat e pjesëmarrjes në votimin e 30 qershorit sipas bashkive. Sipas zëdhënëses Drilona Hoxha, në Bashkinë Shkodër kanë votuar deri tani 8.700 persona. Shifrat në nivel kombëtar por edhe të bashkive, janë kontestuar menjëherë nga PD. Sipas tyre, në nivel kombëtar kanë votuar rreth 10% e zgjedhësve, ndërsa sipas KQZ-së pjesëmarrja është 15,5%. Duke u kthyer tek bashkia më e madhe në Veriun e vendit, ajo e Shkodrës, krahasuar me 2015-ën, pjesëmarrja është në nivele shumë, shumë të ulta. Para katër viteve, iu përgjigjën thirrjes për votim rreth 71 mijë banorë, sipas statistikave zyrtare të KQZ-së. Shifra 8.700 e pjesëmarrjes deri në orën 15.00, është rekord historik negativ në 30 vite. Sipas gjasave, pjesëmarrja në orët e mbetura mund të njohë një rritje të lehtë, por gjithsesi në nivele shumë të ulta krahasuar me pjesëmarrjen në 2015-ën. Duke iu kthyer shifrave zyrtare të “Vendore ‘15”, PS është shumë nën numrin e votave që kandidatja e saj, Keti Bazhdari arriti të sigurojë. Pavarësisht 10 mijë votave diferencë negative me Voltana Ademin, Bazhdari siguroi rreth 28.200 vota. Pjesëmarrja deri në këto momente, është nën nivelin e votave të marra edhe nga PS si subjekt në vitin 2015, ku sipas KQZ-së u morën 10.800 vota. Duke iu kthyer shifrave në nivel kombëtar, deri tani kanë votuar 546.000 shtetas, ndërsa në para katër viteve ishin më shumë se 1.613.000 pjesëmarrës. Në rastin e votimeve të sotme, opozita shpreh mjaft rezerva për shifrat duke evidentuar se monitorimi i zgjedhjeve është i vështirë sepse “vetë votohet, vetë numërohet nga komisionerë të PS-së, nga KZAZ-të deri në KQZ”. Nga ana tjetër, edhe shifrat e publikuara nga KQZ për shifrat e pjesëmarrjes deri në orën 15.00 janë jozyrtare, shprehet kreu i tij Klement Zguri.