Në orën 4 të mëngjesit të ditës së së hënë, policia ka ndërmarrë kontrolle në banesa të ndryshme në Postribë të Shkodrës. Janë vetë banorët të zonës që kanë sinjalizuar, madje duke dërguar edhe video. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, forcat speciale të policisë kanë kryer kontrolle për disa persona, pa dhënë ndonjë motiv për familjarët. Rasti i dokumentuar në videon më poshtë, i përket familjes Shabaj. Sipas familjarëve, policia ka kontrolluar dhe ka pyetur për një person të familjes. Kur nuk e kanë gjetur atë, kanë vënë në pranga vëllanë e tij. Ai është pikërisht i riu që shihet në këtë video, Emrah Shabaj. Të njëjtat burime nga vendngjarja, konfirmojnë se familja Shabaj njihet në zonë si përkrahëse e PD-së. Kontrollet e policisë dhe arrestimi i Shabajt, vjen pak orë pas përfundimit të votimit. Sipas informacioneve, të paktën 7 qendra votimi në Postribë, nuk kanë hapur dyert për votimet e 30 qershorit.