Ndërsa fituesi i votimit të 30 qershorit në Shkodër dihet prej disa javësh, fenomenit që është shfaqur në dhjetra bashki në vend, duket se nuk i ka shpëtuar as bashkia më e madhe në Veri të vendit. Konstatimi bëhet lehtë duke krahasuar shifrat zyrtare që vetë KQZ ka publikuar në faqen e tij në internet. Pas përllogaritjes përfundimtare të bërë, KQZ deklaroi se përqindja e votuesve në Bashkinë Shkodër ishte 9,67% ose 15913 votues. Ky informacion mund të gjendet lehtë në faqen e KQZ-së dhe i referohet raportimeve nga KZAZ-të, bazuar në proces- verbalet e mbylljes së qendrave të votimit. Paraditen e sotme, nisi procesi i hapjes së kutive për tu numëruar.
“Më shumë vota se votues” që kanë firmosur në listën e zgjedhësve, vihet re edhe për Bashkinë e Shkodrës. Kështu, kur janë numëruar dhe hedhur në sistem 246 qendra votimi nga 255 që janë në total, kandidati i ASE Valdrin Pjetri, ka marrë 16534 vota ose 630 më shumë se numri i pjesëmarrësve të deklaruar nga KQZ në faqen e tij online. Për të mësuar se sa vota do të dalin nga 255 kutitë, duket të presim hedhjen në sistem të të dhënave edhe për 9 qendrat e fundit. Sa shihet, komisionerët nuk kanë qenë të mirë në aritmetikë ose në kuti janë futur duart pasi janë plotësuar proces- verbalet në qendrat e votimit. Një tjetër fenomen që konstatohet, është ai i votave të pavlefshme. Edhe pse rrjetet sociale gëlojnë nga foto mt shënime, dedikime, parrulla në fletët e votimit të përdorura në Bashkinë Shkodër me 30 qershor, deri tani KQZ nuk raporton asnjë të pavlefshme. Fenomeni i “shumëfishimit” të votave pasi janë futur në kuti, godet edhe Shkodrën ndërsa duhet të pritet nëse do të ketë ankimime dhe si do të justifikohen komisionerët.