Pesë kallëzime penale janë ngritur ndaj kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Në “bilancin” e votimeve, Prokuroria e Përgjithshëm bën me dije se ka regjistruar kallëzimin penal ndaj zonjës Ademi si dhe një kallëzim ndaj shtetasit Z.H. Ndërkohë, në Kurbin është regjistruar procedim penal ditën e djeshme për falsifikim të materialeve zgjedhore, pas kallëzimit të bërë nga Edmond Piroli, kandidat për kryetar i Bashkisë Kurbin për subjektin politik “Bindja Demokratike”.
Sipas Prokurorisë, Piroli pretendon se anëtarët e Komisionit të dy Qendrave të Votimit në fshatin Fushë-Kuqe, Kurbin kanë futur në kutitë e votimit fletë votimi dhe kanë nënshkruar në emër të votuesve, pa qenë prezent.
“Konkretisht, sipas kallëzuesit, në dy qendrat e votimit, në ambientin privat “Lokal i shtetasit Vasil Ulaj”, në Fushë-Kuqe, pretendohet të kenë votuar 6 shtetas, ndërkohë që në kutitë e votimit janë futur dhe gjenden rreth 60 fletë votimi në njërën kuti dhe rreth 120 fletë votimi në kutinë tjetër”, sqaron Prokuroria.
Në Fier, dy persona janë kallëzuar penalisht, përkatësisht Alfred Davidhi e Klevi Berzhezha.
“Në materialin e referuar nga policia gjyqësore e Komisariatit të Policisë Fier, pretendohet se këta shtetas i bënin presion zgjedhësve në fshatin Topojë, Fier. Materiali është në fazë verifikimi”, sqaron organi i hetimit.
Ndërkohë, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë ka në fazë verifikimi deklaratën për shtyp të kryetarit të Partisë Demokratike, dega Korçë, ku përmenden regjistrime video në lidhje me parregullsi të procesit të votimit, rezultatet e të cilit do të raportohen në ditët në vijim.
Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, më datë 02.07.2019 ka regjistruar kallëzimin penal nr. 1594 të vitit 2019 për veprën penale “Votimi më shumë se një herë” në ngarkim të shtetasit O.O. Ky material është regjistruar mbi bazë të referimit të Komisariatit të Policisë Cërrik datë 01.07.2019.
“Prokuroria e Përgjithshme informon se, përveç informacioneve të mësipërme, prokuroritë e rretheve të tjera gjyqësore kanë informuar se, deri në këtë moment, asnjë nga subjektet politike nuk ka bërë kallëzim/denoncim penal lidhur me procesin e zgjedhjeve vendore datë 30 qershor 2019, dhe se nuk janë filluar hetime kryesisht për materialet video të publikuara në media”, sqaron Prokuroria e përgjithshme.