KQZ, në zbatim të përcaktimeve të nenit 119 dhe 120 të Kodit Zgjedhor, ka detyrimin të publikojë menjëherë në faqen e internetit rezultatet e çdo Qendre Votimi, sapo i merr ato zyrtarisht nga KZAZ. Në dispozitat e cituara, edhe pse legjislatori përcakton se të dhënat që KQZ publikon janë rezultate zyrtare, detyron që në publikim duhet të saktësojë se rezultati është paraprak. Për përmbushjen e këtij detyrimi, KQZ me Udhëzimin nr. 1/2015 “Për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e rezultatit paraprak të zgjedhjeve” ka përcaktuar procedurat që zbaton KZAZ dhe KQZ për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e rezultatit paraprak të zgjedhjeve. Sipas këtij Udhëzimi, dalë në bazë dhe për zbatim të Kodit Zgjedhor, përcjellja e informacionit elektronikisht nga KZAZ në KQZ fillon pas marrjes në dorëzim të materialit zgjedhor nga KQV, vijon me transmetimin në rrugë elektronike të tabelës së rezultateve të Qendrës së Votimit, dhe përmbyllet me transmetimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve që nxjerr KZAZ.
Për qëllim të publikimit të rezultatit paraprak të zgjedhjeve, në të gjitha VNV-të instalohen pajisje të teknologjisë së informacionit përmes të cilave mundësohet komunikimi online nga KZAZ me serverin e KQZ-së. KQZ ka shfrytëzuar modulin VNV – KQZ, mbi bazë dhe për zbatim të Udhëzimit të KQZ-së Nr.1, datë 20.02.2015 “Për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e rezultatit paraprak të zgjedhjeve”, i cili u përdor edhe në zgjedhjet e datës 30 qershor për të publikuar në dinamikë në monitorët e sallës së mediave, në faqen zyrtare të KQZ-së rezultatin paraprak të zgjedhjeve në rang zone zgjedhore.
Kodi Zgjedhor në asnjë dispozitë të tij nuk përcakton detyrimin që KQZ të publikojë informacion për pjesëmarrje në zgjedhje gjatë ditës së votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pavarësisht se pa detyrim të shprehur në Kodin Zgjedhor, në respekt të opinionit dhe interesit publik, si dhe rritjes së transparencës për procesin zgjedhor, realizon dhënien e informacionit për pjesëmarrje në votim gjatë ditës së zgjedhjeve.
Informacioni për pjesëmarrje në votim gjatë ditës së zgjedhjeve jepet nga Sekretari i Qendrës së Votimit, sipas përcaktimeve të nenit 12 të Udhëzimit të KQZ-së nr. 2/2015 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Qendrës së Votimit”. Kjo dispozitë e aktit normativ të KQZ, përcaktohen një nga detyrat e Sekretarit të KQV-së të njoftojë KZAZ-në çdo tre orë pas orës së hapjes së votimit, për numrin e zgjedhësve që kanë votuar deri në atë moment, dhe pas mbylljes së votimit të njoftojë KZAZ-në për numrin e përgjithshëm të zgjedhësve që kanë votuar dhe përkatësinë gjinore të tyre.
Informacioni që transmeton KZAZ në KQZ për pjesëmarrje ditën e votimit, bazohet në të dhënat e transmetuara përmes telefonit celular nga KQV-të, ku për shkaqe objektive si mos mbulimi i zonave të caktuara gjeografike me sinjal telefonik, mungesës së komunikimit nga ana e sekretarëve të QV-ve, në asnjë rast nuk mund të pretendohet saktësia e tyre.
Gjithashtu, duhet marrë në konsideratë fakti që lista e zgjedhësve administrohet nga Kryetari i KQV-së, ndërsa të dhënat transmetohen nga sekretari i KQV-së, i cili duke mos disponuar dokumentin (listën e zgjedhësve) ku numri i votuesve evidentohet përmes nënshkrimeve, referon të dhëna për pjesëmarrjen në votime bazuar në shënimet e mbajtuara, pra është evidente se shifra e transmetuar nga Sekretari i KQV-së nuk mund të ketë saktësi maksimale.
Gjithashtu edhe për informacionin që merret nga KZAZ-të dhe publikohet nga KQZ pas orës 19:00, referohen të dhëna të cilat nuk janë përfundimtare. Qendrat e Votimit mbyllen në orën 19:00, ose përtej kësaj ore për shkaqe të parashikuara në Kodin Zgjedhor. Vetëm pas mbylljes së votimit, Komisioni i Qendrës së Votimit kryen procedurat për nxjerrjen e të dhënave, përfshirë edhe numrin e zgjedhësve që kanë votuar, dhe dokumentimin e tyre në procesverbalin që KQV plotëson duke respektuar procedurat e nenit 113 të Kodit Zgjedhor.
Pra edhe në orën 19:00, kur Sekretari i KQV duhet të kryejë raportimin e fundit përmes telefonit celular, ai nuk disponon të dhënën e saktë për numrin e zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votime, pasi Kryetari i KQV, nën vëzhgimin e të gjithë anëtarëve të KQV dhe të vëzhguesve, nuk ka kryer ende veprimet për përcaktimin e numrit të zgjedhësve që kanë votuar mbi bazën e nënshkrimeve të tyre në listën e zgjedhësve dhe në Rregjistrin e Posaçëm të Zgjedhësve.
Mënyra e transmetimit të informacionit nga KZAZ në KQZ për pjesëmarrje në votime gjatë ditës së zgjedhjeve, nuk është e rregulluar me akt normativ të KQZ-së. Për zgjedhjet vendore 2015, KQZ përmes aktit individual, Vendimit nr. 13/2015 “Për miratimin e procedurave për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e informacionit ditën e votimit në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 2015”, përcaktoi mënyrën si Sekretari i KQV-së do të përmbushë detyrën e tij përcaktuar në aktin normativ sipërcituar: Do të njoftojë KZAZ-në përkatëse çdo tre orë, pas orës 7:00 të hapjes së votimit, dhe pas mbylljes së votimit për numrin e zgjedhësve që kanë votuar, duke transmetuar të dhënat me anë të telefonit celular, ndërsa transmetimi i informacionit nga KZAZ-të në KQZ do të bëhej elektronikisht nëpërmjet rrjetit që lidh VNV-të me serverin e KQZ-së.
Në faqen zyrtare të KQZ, çdo i interesuar mund të verifikojë lehtësisht, se informacioni i publikuar nga KQZ për pjesëmarrje në votime gjatë ditës së zgjedhjeve edhe në zgjedhjet e mëparshme është cilësuar “pjesëmarrja e votuesve nga qendrat e votimit që kanë dërguar të dhëna”.
Transmetimi i informacionit nga KZAZ në KQZ për pjesëmarrje në votime përmes telefonit celular, është përdorur edhe në zgjedhjet e mëparshme në kushtet e mungesës së modulit për realizimin e transmetimit të tij. Në zgjedhjet vendore 2015, ato për Kuvendin 2017, zgjedhjet e pjesshme 2013, 2016, 2017, transmetimi i informacionit për pjesëmarrje në votime nga KZAZ-të në KQZ është bërë si përmes dërgimit me e-mail të të informacionit, po ashtu edhe me anë të telefonit celular kur KZAZ nuk arrinin të dërgonin informacion në rrugë elektronike, për shkak të ngarkesës së punës ose qoftë edhe për neglizhencë.
Volumi i madh i informacionit që ka procesi zgjedhor administrohet nga KQZ përmes Sistemit të Integruar të Manaxhimit Elektronik të Informacionit Zgjedhor (IEMIS), që ka filluar të shfrytëzohet prej vitit 2009. Sistemi ka qënë i integruar dhe ka marrë informacion paraprak nga niveli VNV-KQZ.
Për çdo proces zgjedhor, sikundër edhe për zgjedhjet e datës 30 qershor, nëpunës të administratës së KQZ angazhohen për të realizuar komunikimin me KZAZ-të gjatë ditës së votimit, me qëllim informimin në kohë reale për hapjen e votimit, ndërprerjen dhe rifillimin e tij, problematika me materialet zgjedhore, po ashtu edhe për të marrë informacion për pjesëmarrjen në votime.
Për sa më sipër, transmetimi i informacionit për pjesëmarrje në votime gjatë ditës së zgjedhjeve përmes telefonit nuk është metoda e përzgjedhur për këto zgjedhje, është metodë e përdorur në të gjitha zgjedhjet nga administrata zgjedhore, duke pikënisur nga Komisioni i Qendrës së Votimit drejt KZAZ e më tej nga KZAZ në KQZ, referon të dhëna paraprake, nuk përfshin informacionin nga të gjitha Qendrat e Votimit, dhe për këto shkaqe nuk mund të pretendohet saktësia e tij. Për ilustrim, në zgjedhjet 2017, të dhënat e publikuara nga KQZ për pjesëmarrjen në zgjedhje në orën 10:00 referonin raportimet e bëra nga 25% e QV; në orën 13:00 referonin raportimet e bëra nga 26,37% e QV, në orën 16:00 referonin raportimet e bëra nga 11,30% e QV, dhe në orën 19:00 referonin raportimet e bëra nga 19% e QV.
Sa më sipër, edhe në zgjedhjet e datës 30 qershor, sikundër edhe në proceset zgjedhore të mëparshme, publikimi i informacionit nga KQZ për pjesëmarrje në votime gjatë ditës së zgjedhjeve, ka referuar të dhëna të cilat nuk mundet të konsiderohen të dhëna zyrtare përfundimtare për pjesëmarrjen në votime, sikundër në çdo zgjedhje janë konsideruar informacion paraprak dhe nuk janë përputhuar me të dhënat zyrtare që disponohen vetëm nga dokumentacioni zyrtar zgjedhor: procesverbalet e plotësuara nga KQV pas mbylljes së votimit.
Shpresojmë se ky sqarim publik do t’ju krijojë bindjen se pasaktësitë e pretenduara, mbeten në kuadër të pretendimeve të pabazuara dhe të qëllimshme, pasi sikundër KQZ ka theksuar informacioni për pjesmarrje në votime ka qënë paraprak, pra i “pasaktë” sikundër edhe në zgjedhjet pararendëse, mund të provohet lehtësisht në faqen zyrtare të KQZ por edhe në materiale filmike të mediave, pavarësisht se për këto zgjedhje po synohet t’i jepet vëmendje për shkaqe që janë përtej natyrës, misionit dhe punës së KQZ. /Deklaratë për mediat e KQZ/