Policët që kanë 25 vite shërbim në Policinë e Shtetit mund të përfitojnë pension të parakohshëm që në moshën 55 vjeç. Qeveria ka hedhur për konsultim publik një projektligj, i cili u lejon punonjësve të policisë të dalin në pension të parakohshëm për shkak të rrezikshmërisë dhe vështirësisë së lartë që ka ky profesion. Sipas draftit, masa e pensionit të parakohshëm do të jetë sa 65 për qind e pagës mesatare referuese. Por si përkthehet kjo në shifra?
Për inspektorët e policisë, të cilët kanë 25 vite shërbim në polici dhe duan të tërhiqen në moshën 55 vjeç, pensioni i parakohshëm do të jetë 36.7 mijë lekë në muaj. Me rritjen gradës rritet edhe masa e pensionit. Për nënkomisarët pagesa e pensionit të parakohshëm është 44.6 mijë lekë, ndërsa për drejtuesit e parë të policisë ajo arrin deri në 62 mijë lekë në muaj.
Sipas relacionit të projektligjit, aktualisht janë në total 1080 punonjës policie që përmbushin kriterin e 25 viteve shërbim në policinë e shtetit dhe mund të përfitojnë pension të parakohshëm.
Por për të mos krijuar vakum në institucionin e policisë së shtetit, qeveria ka vendosur që ligji të zbatohet gradualisht për tre vjet. Që do të thotë se në vitin e parë do të përfitojnë pensionin jo më shumë se 30 për qind e punonjësve që plotësojnë kriteret dhe po kaq në vitin e dytë dhe të tretë.
Sipas qeverisë përmes këtij projektligji synohet të mbështeten punonjësit e policisë, por edhe të ulet mosha mesatare e punonësjve të policisë së shtetit, që aktualisht është 46.5 vjeç./TCH/