PD ka publikuar sot materiale, të cilat sipas opozitës faktojnë falsifikimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për Bashkinë Elbasan për votimin e 30 qershorit. Në fakt, çdokush mund të shohë në faqen e Facebook informacione shtesë, të cilat prej disa muajsh, në emër të transparencës, bëhen publike nga vetë rrjeti social. Kështu, çdo postim dhe çdo ndryshim i mundshëm i tij, pasqyrohet saktësisht dhe mjafton të dish ta kërkosh. Por edhe më shumë se kaq ofron Facebook. Për shembull, faqja zyrtare e Taulant Ballës është hapur me 13 dhjetor 2011 dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë emrin. Po ashtu, mësojmë se ajo administrohet nga 8 persona që kanë deklaruar vendbanimin e tyre në Shqipëri.
Për tu rikthyer tek dokumentat që PD thotë se janë falsifikuar nga Balla. Tek postimi përkatës, nga një kompjuter, djathtas lart, aty ku shihen lehtë tre pika, klikoni sipër dhe do iu hapet një menu. Mes rreshtave të saj, klikoni “shiko historinë e ndryshimit”. kjo në varësi të gjuhës që ju e përdorni Facebook. Sapo klikoni, ju hapen të gjitha ndryshimet e bëra tek një postim, madje edhe cfarë është shtuar, nëse është shtuar diçka. Mjafton të jeni të vemendshëm dhe të dini të verifikoni të dhënat që iu vihen në dispozicion.
Tek postimi i shumë përfolur i Taulant Ballës për Bashkinë Elbasan, shihet se ai është bërë në orën 11.58 të datës 6 korrik 2019. Në orën 12.10, Facebook ka regjistruar dy ndryshime të njëpasnjëshme, por pa ndonjë efekt të dukshëm në postim. Ndryshimi i tretë dhe i fundit, është i orës 12.35, kur shihet se është shtuar një link nga faqja e KQZ-së. Të gjithë ata që kanë dëshirë ta vertetojnë saktësinë e këtij “udhëzuesi”, ta provojnë në faqen e Ballës ose ndonjë politikani tjetër.