Pas Andi Çelikut, edhe dy ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë janë vetëlarguar nga drejtësia. Evelina Qirjako dhe Guxim Zenelaj, anëtarë të Gjykatës së Lartë deri në korrik të vitit 2017, kanë refuzuar për të vijuar të shërbejnë në sistemin e drejtësisë, duke shmangur kështu kalimin në skanerin e trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Që të dy, si Evelina Qirjako ashtu edhe Guxim Zenelaj, janë dekretuar nga ish-presidenti Bamir Topi në korrik të vitit 2008 dhe janë miratuar në Parlament nga Partia Demokratike si anëtarë të Gjykatës së Lartë. Të dy gjyqtarët kanë njoftuar dorëzimin e mandatit të anëtarit të Gjykatës së Lartë, për shkak të mbarimit të mandatit, ndonëse sipas ligjit ata mund të qëndronin në detyrë deri kur të zëvendësoheshin, siç edhe bëri anëtari Ardian Dvorani, të cilit i ka mbaruar mandati që në viti 2015. Megjithatë, sipas ligjit, anëtarët mund të kërkonin të emëroheshin gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, por ata sërish nuk kanë preferuar të shërbejnë në drejtësi.
Evelina Qirjako
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, ka përzgjedhur me anë të shortit, Evelina Qirjako, për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit, në datën 15.3.2019. Ndërkaq, në datën 30.4.2018, znj. Evelina Qirjako, ka depozituar në Komisionin e Vetingut shkresën, ku njoftonte se nuk ka paraqitur kërkesë për t’u emëruar gjyqtare në Gjykatën e Apelit dhe se ka filluar ushtrimin e veprimtarisë ekonomike private në profesionin e avokatit, duke u regjistruar si person fizik pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit në datën 11.1.2018. Në këto kushte, ajo vlerësoi se statusi i saj si gjyqtare ka mbaruar. Në përgjigje të kërkesës së znj. Evelina Qirjako, me shkresën e datës 14.5.2018, ndër të tjera, Komisioni ka vlerësuar se, megjithëse znj. Evelina Qirjako i ka mbaruar mandati si anëtare e Gjykatës së Lartë për shkak të ligjit, ajo vijon ta gëzojë statusin e magjistrates.
Në datën 3.12.2018, znj. Evelina Qirjako, i është drejtuar sërish Komisionit duke kërkuar pushimin/ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, për shkak se nuk është më subjekt rivlerësimi. Me shkresën e datës 23.1.2019, Komisioni i ka vënë në dispozicion Këshillit të Lartë Gjyqësor të gjithë praktikat shkresore të administruara për ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, znj. Evelina Qirjako. KLGJ ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për Evelina Qirjakon, për shkak të heqjes dorë nga e drejta e caktimit në një pozicion në nivelin e gjyqtares së apelit. Në bazë të këtij vendimi, Komisioni i Vetingut, në datën 08.07.2019 vendosi të ndërpresë Vetingun për znj. Evelina Qirjako.
Guxim Zenelaj
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në datën 15.3.2019 ka përzgjedhur ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë Guxim Zenelaj për t’ju nënshtruar Vetingut. Me shkresёn e datёs 30.4.2018, me lёndё: “njoftim”, dërguar Komisionit, Guxim Zenelaj, ka njoftuar se nuk ka paraqitur asnjë kёrkesё pёr t’u emёruar gjyqtar apeli dhe se ai ka filluar ushtrimin e veprimtarisë private nё profesionin e avokatit, regjistruar nё QKB nё datёn 16.3.2018, duke vlerësuar se statusi i tij si gjyqtar ka mbaruar pёr shkak tё ligjit. Zenelaj me datë 8.4.2019, i ka dërguar një shkresë Kёshillit tё Lartё Gjyqёsor, ku ka konfirmuar se ka hequr dorё nga statusi i magjistratit. Këshilli i Lartë Gjyqësor në datë 25.4.2019, ka dërguar pranë Komisionit të Vetingut vendimin për deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit,për ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, z. Guxim Zenelaj. Në këto kushte, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur të ndërresë procesin e Vetingut për Guxim Zenelajn në datën 1 korrik 2019.
Largimi
Evelina Qirjako dhe Guxim Zenelaj, anëtarë të Gjykatës së Lartë deri në korrik të vitit 2017, kanë refuzuar për të vijuar të shërbejnë në sistemin e drejtësisë, duke shmangur kështu kalimin në skanerin e trefishtë të Vetingut. /Nga Adriatik DOÇI, marrë me shkurtime nga Shqiptarja.com/