Drejtori i Burgut të Reçit është rikthyer në detyrën e tij. Burime brenda këtij institucioni, bëjnë me dije se Gëzim Selimi është rikthyer në detyrë vetëm dy ditë pas 30 qershorit. Të njëjtat burime, thonë për ShkodraWeb se me 2 korrik 2019, Selimi ka rimarrë sërish detyrën e lënë me dorëheqje. Siç dihet, drejtori i burgut të Reçit, Gëzim Selimi është dorëhequr nga detyra në mënyrë të papritur me 24 qershor 2019. Dorëheqja ishte paraqitur pranë Drejtorisë së Burgjeve ndersa nuk dihen ende shkaqet zyrtare e vendimit. Megjithatë burime jo zyrtare nga drejtoria e përgjithshme e burgjeve thanë ato ditë, se muajt e fundit në burgun e Reçit ka pasur një inspektim ku janë gjetur shkelje të rënda.
Gëzim Selimi u shpall fitues për këtë post pas konkursit në ministrinë e Drejtësisë. Ai ka drejtuar burgun e Reçit nga janari i vitit 2018. Ky institucion është ndërtuar me financimet e Bashkimit Europian dhe konsiderohet si institucioni ku do të mbahen të arrestuarit VIP për veprat penale të hetuara nga Prokuroria Krimeve të Rënda dhe SPAK pasi kjo zyrë të krijohet.
Ditët e fundit para 30 qershorit, Presidenti i Republikës i kërkoi informacion ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Burgjeve në lidhje me situatën e sigurisë në këtë sektor. Në përgjigjen publike për Presidentin e Republikës, Drejtoria e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë u shpreh se gjendja në burgje është nën kontroll dhe nuk paraqet asnjë shqetësim.