Ndërsa ish-deputeti demokrat Bardh Spahia, pritet të dalë nesër para gjykatës së Apelit në Shkodër për shqyrtimin e masës së sigurisë, kolegë të tij kanë shprehur solidaritet me të. Këtë herë janë mjekë italianë të cilët përmes një postimi në rrjetet sociale kanë publikuar foton ku shkruajnë “Bardh, jemi me ty”. “Mirenjohje e thelle per koleget e mi kirurge te Ospedale Maggiore di Crema, Itali. Grazie mille ragazzi. A presto”shkruan ish-deputeti Spahia, ndërsa shpërndan foton për ndjekësit e tij në facebook. Kujtojmë se krahas politikan, Bardh Spahia është gjithashtu edhe mjek kirurg.
Ish-deputeti u arrestua për ngjarjen e ndodhur në KZAZ-të e Shkodrës, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësve të rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Rendit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Dëmtim me dashje i materialeve zgjedhore”. Vetë Spahia e ka konsideruar arrestimin e tij me prapaskenë politike, ndërsa gjykata e Shkodrës vendosi ndaj tij masën e arrestit shtëpiak.