Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet e njëpasnjëshme në magazina ushqimore, tregje ambulante dhe fast-food-e, në kuadër të vijimit të mbarëvajtjes së sezonit turistik, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.aku
Nga këto kontrolle zyrtare ka rezultuar se disa subjekte dhe tregtarë ambulantë në Vlorë, Durrës dhe Shkodër nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore. Më konkretisht, në Shkodër:
Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “ORI-B” me aktivitet “Ruajtje dhe shpërndarje në temperaturë ambjenti”, Shkodër, u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë në kushte të papërshatshme higjeno-sanitare, produktet ushqimore nuk ishin të sistemuara (ishin vendosur në mënyrë të çrregullt në të gjithë ambientin e tregtimit, madje kishte produkte të vendosura dhe në ambientet sanitare), si dhe në muret kishte prani myku.
Gjatë kontrollit u evidentuan gjithashtu një sërë produktesh me afat të kaluar përdorimi (pije freskuese, vaj ulliri, ëmbëlsira etj).
Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat administrative të mëposhtme:
“Gjobë” me vlerën 500,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare,
“Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve të pasigurta për konsum,
“Bllokimi i produkteve” me afat të kaluar përdorimi, me qëllim asgjësimin e tyre,
“Bllokimi i aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme.
Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Selim Cocaj” me aktivitet “Prodhim produktesh me bazë brumi” Velipojë, Shkodër u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (tualeti kishte dalje të drejtëpërdrejtë në ambjentet e prodhimit, mungonte analiza e ujit, muret kishin prani myku dhe mjetet e punës kishin prezencë ndryshku)
Për shkeljet e konstatuara AKU mori masat e mëposhtme:
Gjobë 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare. U bë bllokimi i menjëhershëm i aktivitetit deri në përmirësimin e kushteve higjeno-sanitare.