Presidenti i vendit Ilir Meta ka zgjedhur Prevallën për të pushuar. Nga aty ka postuar edhe një video teksa përshkon ujin e ftohtë, një terapi siç e quan. Por përveç kësaj ai kësaj here ka edhe një mesazh politik. Ndryshe nga herët e tjera apeli i Metës nuk është për kryeministrin Rama, por për të tjerë që bëjnë si të paanshëm, siç edhe Meta thotë. Nuk dimë kujt i drejtohet, por nuk është çudi që mesazhi i këtij mëngjesit të shkojë në adresë të ambasadorëve.
STATUSI I PLOTE
Mirëmëngjes të dashur miq! Pas një terapie me ujë bore, më lindi një pyetje që dua ta ndaj me ju, dhe që u drejtohet atyre të cilët bëjnë si të paanshëm, pasi kanë shkëlqyer me njëanshmërinë e tyre, duke ia kaluar dhe Kryeministrit tonë, i cili në fund të fundit përfaqëson një anë politike:
Pse nuk keni sy për të parë apo veshë për të dëgjuar zgjidhjen e krizës që ka dhënë një institucion që ekziston, por ia kërkoni zgjidhjen një institucioni që nuk ekziston, falë edhe paanësisë tuaj tepër të vonuar? Kaq të domosdoshëm e keni dështimin e çeljes së negociatave për vendin tonë në 18 tetor?
Ju uroj një fundjavë të mbarë!